Policia e Kosovës, të premten mbrëma në pikën kufitare me Serbinë, në Merdarë të Podujevës ndaloi tre automjete që ishin nisur nga Beogradi. Njëra ishte një makinë dhe dy kamionë.
“Njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen gjatë kalimeve kufitare, kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi. Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në Republikën e Kosovës, e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse” thuhet në njoftimin e PK-së.
Materiali në fjalë bashkë me gjashtë të ndaluarit u dërguan në stacionin policor në Lluzhan.
Pas intervistimit të ndaluarit në mesin e të cilëve dhe zyrtari I Komisionit zgjedhor të Serbisë, Marko Jankoviq, u liruan.
Ata I vizitoi edhe shefi i zyrës së Beogradit në Prishtinë, Dejan Paviçeviq, që shfaqi një fotografi me të ndaluarit nga një hapësirë e mbyllur.
“E thirra menjëherë Miroslav Lajçakun dhe I thashë se po shkelen në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe krejt marrëveshjet dhe procedurat që ekzistojnë për mbajtjen e referendumit por edhe proceseve zgjedhore në Kosovë. U mundova të flisja edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport por ai nuk mu lajmërua në telefon.”theksoi të shtunën në mëngjes, Petar Petkoviq, drejtor I zyrës serbe për Kosovën.
Autoritetet kosovare ndaluan mbajtjen në territorin e vetë të referendumit të Serbisë që mbahet të dielën e 16 Janarit.
Për këtë votim që ka të bëjë me ndryshime në sferën e drejtësisë së saj, Serbia mëtonte që në Kosovë do ti hapte 140 vendvotime.