Prokuroria e Prishtinës ka bërë me dije se është liruar nga paraburgimi polici Vesel Veseli, i cili dyshohet të ketë përdhunuar sistematikisht një vajzë të mitur nga Drenasi.
Policit në fjalë i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Lajmin për lirimin e Veselit nga paraburgimi e konfirmojnë burime nga Prokuroria e Prishtinës.
Në muajin shkurt, njoftimet e mediave për shantazhin ndaj së miturës tronditi vendin, duke mbushur rrugët me protestues, si rrallë herë. Rrëfimi i saj i gjatë u përcoll me reagime të niveleve të ndryshme, deri te ato qeveritare.
Ajo dëshmoi se qysh në moshën 16 vjeçare kishte filluar raport me një mësimdhënës të saj, të cilën e kishte denoncuar në polici kur lidhja e tyre mbaroi. Por në vend se deklaratat e saj të merreshin me seriozitet, polici që kishte pranuar denoncimin e kishte përndjekur vajzën, duke e kërcënuar se po që se nuk do të kishte lidhje me të, do t’ia zbulonte lidhjen e mëhershme.
Por rrethi i krimit nuk mbaron këtu. Pas gati 2 vite marrëdhëniesh të kushtëzuara, e mitura detyrohet të kryej abort të paligjshëm në një ordinancë private, për të cilin veprim doktori nuk kërkoi mjaft të dhëna.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, prokuroria ka dyshime se edhe avokati mbrojtës i së miturës mund të ketë gisht në keqtrajtimin e saj.
Pas ekspozimit të të gjitha këtyre ndodhive, rezultuan arrestimet e mësimdhënësit dhe policit, ndërsa ndaj doktorit gjinekolog dhe avokatit po kryhen hetime.
Grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë qenë mjaft të zëshme lidhur me rastin në fjalë. Edhe mediat duket se “kanë dhënë provimin” duke qenë se nuk kanë publikuar pamje fotografike, e as identitetin e së miturës.