Lista Serbe ka përsëritur sot se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës derisa të formohet Bashkimi i Komunave Serbe dhe derisa të gjitha njësitë speciale të Kosovës të tërhiqen nga ajo zonë, përcjell Fol Drejt.
Në një takim me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Geoffrey Hovenier, përfaqësuesit e Listës Serbe deklaruan se mbeten “konsistent në qëndrimet e tyre” se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që autoritetet e Prishtinës i shpallën për 23 prill, pasi serbët u tërhoqën nga të gjitha institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit.
Delegacioni i Listës Serbe në bisedën me diplomatin amerikan përbëhej nga presidenti i saj Goran Rakiq dhe nënkryetarët Dalibor Jevtiq dhe Igor Simiq. /FolDrejt/