Lista Serbe po pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i trajton serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave.
Ata njoftuan sot se arrestimet e fundit të serbëve në veri të Kosovës janë vazhdimësi e dhunës së kryer nga kryeministri Kurti, përcjell Fol Drejt.
“Sot në rajonin e veriut të Mitrovicës dhe Zveçanit, regjimi i Kurtit ka arrestuar dy serbë, IE dhe DM, dhe dy të tjerë ende janë në kërkim sipas mediave. Ju rikujtojmë se këto arrestime të bashkëqytetarëve tanë, si dhe rrahja e të rinjve në Graçanicë, vijnë pas refuzimit të Kurtit për të marrë pjesë aktive në dialog dhe për të de-përshkallëzuar situatën në terren”, thuhet në njoftim.
“Ai i trajton serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave, të cilët mund t’i ngacmojë kur të dojë, dhe në këtë mënyrë i dërgon mesazh Bashkimit Evropian se nuk mund t’i bëjnë asgjë. I bëjmë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që urgjentisht të parandalohen inkursionet e forcave speciale dhe provokimet e tjera të regjimit të Kurtit që rrezikojnë paqen dhe shkaktojnë tensione”, thuhet tutje në deklaratën e tyre./FolDrejt/