Të martën, Parlamenti i Lituanisë miratoi një rezolutë që u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që ta shpallin Rusinë shtet terrorist, raportojnë mediat, përcjell Fol Drejt.
Kjo rezolutë u mbështet nga 114 deputetë në Kuvendin e Lituanisë prej 141 vendesh, tha transmetuesi shtetëror “LRT”.
“Para së gjithash, ne i bëjmë thirrje BE-së dhe vendeve të saj anëtare që të punojnë së bashku për të zgjeruar kuadrin ligjor të unionit për të njohur shtetet që sponsorizojnë terrorizmin dhe përdorin mjete terroriste dhe ne bëjmë thirrje për të siguruar zbatimin e politikës së sanksioneve të BE-së duke parandaluar çdo sanksion, anashkalim”, ka raportuar “LRT”.
Rezoluta përfshin ngritjen e çështjes së “përgjegjësisë së Rusisë për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit ose gjenocidin në Ukrainë”, si dhe “njohjen e Rusisë si një shtet që sponsorizon dhe kryen terrorizmin”.
Parlamenti i Lituanisë majin e kaluar e etiketoi Rusinë një “vend terrorist” pasi ajo filloi operacionin e saj special ushtarak në tokën ukrainase. /FolDrejt/