Organizata ndërkombëtare që paraqet indeksin e korrupcionit në pothuajse të gjitha vendet e botës Transparency International ka publikuar listën e fundit ku vërehen hapa pas për Shqipërinë dhe Kosovën, kurse hapa para për Maqedoninë.
Sipas TI, dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar korrupsionin, është duke kontribuar në një krizë të demokracisë në gjithë botën.
Me vlerësim prej zero deri njëqind pikësh, në vendin e fundit ndodhet shtetet e zhytyra në luftëra civile si Siria (13) dhe Somalia (10), kurse në tre vendet e para rënditen Danimarka (88) dhe Zelenda e Re (87), informon foldrejt.com. Edhe këto dy vendet kanë bërë hapa pas nga viti i kaluar me 2 dhe 3 pikë më pak gjegjësisht.
Sa u takon vendeve të Ballkanit Perëndimor, në vendin e parë rënditet Mali i Zi, i cili po ashtu ka rënë nga pozita 64 në 67.
“Në një mjedis të dominuar nga elita e njëjtë udhëheqëse për më shumë se tre dekada, efektet e kapjes së shtetit janë të dukshme në Mal të Zi”, thotë organizata Transparency International.
Më pas rënditen Serbia në vendin e 87 dhe Bosnja e Hercegovina në 89.
Vendi i Shqipërisë ka zbritur në pozitën 99, nga 91 sa ka qenë një vit më herët.
“Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të një ngërçi politik që ka bllokuar disa reforma anti-korrupsion që të ecin përpara”, thotë Transparency International.
Në indeksin e sivjetmë, Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë.
Ajo që jep pak shpresë te këto vende është përparimi i Maqedonisë, duke u radhitur në pozitën 93 nga 107 sa ka qenë vitin paraprak. Organizata thotë se pritjet anti-korrupsion në këtë vend, që është i interesuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, janë ta larta./Foldrejt.com