Më 9 e 10 nëntor 1912, dy njësi të posaçme ushtarake serbe, njëra nga Prizreni historik e tjetra nga Gjakova, morën detyrën luftarake të pushtonin të gjithë Shqipërinë Veriore, të hynin në Lezhë e prej andej të zgjeronin zonën e pushtimit deri në Vlorë. Një tjetër divizion u nis nga Maqedonia për në Dibër.
Serbët, edhe pse në tetor të vitit 1912, në Shtimje, Caralevë e në Qafë Duhël, morën goditje befasuese dhe të fortë nga luftëtarët patriotë shqiptarë lumjanë e dibranë, që luftuan si luanë në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit të tyre, nuk hoqën kurrë dorë nga synimet e tyre pushtuese, fillimisht për të bërë realitet idenë e çmendur të Çubriloviçit, që të shtinin në dorë të gjithë tokat shqiptare në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Drini i Zi e pastaj për të shkuar edhe më tej, për të siguruar dalje të Serbisë në Detin Adriatik. Prandaj, ata aktivizuan sërish korparmatat e divizionet e tyre dhe u vërsulën drejt kufijve verilindor të Shqipërisë.
Në zbatim të planeve të tyre pushtuese, në nëntor 1912, serbët u dyndën me ushtritë e tyre barbare në Lumë, me synimin për ta shkelur atë dhe pastaj për të shkelur edhe Dibrën e vise të tjera. Serbët, në fillim, pushtuan Morinin, Bardhocin, Pobregun, Gostilin, Nangën dhe Bicajt. Në radhë ishte Kolesjani, me vendet e tjera pas tij.
Por, lumjanët dhe dibranët ishin ngritur në këmbë, më shtatë e shtatëdhjetë, dhe u ishin afruar llogoreve të ushtrisë serbe. Lufta kundër armikut të përbashkët dhe interesat e Atdheut bashkuan edhe Cen Dacin me Elez Isufin, të cilët kishin qenë në hasmëri. Pajtimi, thuhet, se u bë në Kala të Dodës, kur po niseshin për në betejën e Kolesjanit.
Beteja filloi më 14 nëntor 1912, dhe zgjati deri më 25 nëntor. Të parët e filluan luftën kundër serbëve ishin forcat e bajrakut të Radomirës dhe i pari dëshmorë i vrarë në këtë betejë është Ibrahim Haxhi Zeqiri po nga Radomira. Forcat dibrane në betejën e Lumës (Kolesjanit) komandoheshin nga Baftjar Doda, Xhafer Doda, Selman Alia, Elez Isufi, Dali Meçi, Sufë Xhelili etj.. Ndërsa forcat lumjane komandoheshin nga Cen Daci, Ramadan Zaskoci, Ramadan Çajku, Ejup Topojani, Islam Spahia, Hasan Bajraktari (Can Rexha), Qazim Lika etj.
Forcat shqiptare, dibrane e lumjane korrën një fitore të shkëlqyer, duke asgjësuar plotësisht ushtrinë serbe, e cila la në fushën e betejës plot 12.000 të vrarë. Kjo betejë, unikale për nga përmasat, heroizmi dhe të vrarët qe një Termopile shqiptare dhe një Vaterlo për serbët. Është për të ardhur keq që, historiografia zyrtare shqiptare e ka anashkaluar këtë betejë me përmasa kaq të mëdha e kaq heroike.
Nuk gjen qoftë një rast në ndonjë tekst zyrtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Institutit të Historisë apo në tekstet shkollore të të gjitha niveleve që t’i jenë kushtuar qoftë dy radhë kësaj beteje lumjano-dibrane të pashoqe në të gjithë historinë e rezistencës shqiptare, pas periudhës skënderbejane.