Taulant Koplikaj, ndër të paktët gazetarë shqiptarë që raportojnë nga Ukraina, tha sot në transmetim direkt se një litër naftë në Kiev kushton 1 euro. Lufta është në kulmin e saj duke lënë qindra të vrarë përditë, megjithatë në Ukrainë karburanti kushton dy herë më lirë se në Shqipëri. Si ka mundësi?
Po të hapësh rrjetet sociale përmbytesh nga reagimet publike. Sigurisht, nafta dhe benzina në nivelin 235-240 lekë, ose 2 euro për litër, janë diçka që në Shqipëri ndodh për herë të parë që kur u lejuan makinat private.
Ekspertët vërejnë që çmimi është rritur pothuajse kudo, nga Amerika në Europë, por pothuajse kudo kjo rritje është minimale, dhe jo 30 cent për litër brenda natës.
Shumëkush ia vë fajin shtetit dhe “shteti” nëpërmjet gojës së Edi Ramës foli sot.
Në reagimin e tij, kryeministri e justifikoi rritjen historike me luftën në Ukrainë, ndërkohë që la të kuptohet se duhet të jemi të kënaqur që “shteti” po arrin të mbajë të parritur çmimin e energjisë. Pra, gjithkush duhet t’i jetë mirënjohës sakrificës së “shtetit”.
Edhe më herët, në mënyrë të përsëritur Rama ka thënë se qeveria nuk ndërhyn tek çmimet e privatëve.
Por, realisht a kemi të bëjmë me një rritje abuzive apo natyrale të çmimit të karburanteve?
Eksperti Zef Preçi i kërkon qeverisë që të rishikojë taksat e aplikuara në një litër naftë gjatë kësaj periudhe dhe sidomos të rrisë konkurrencën. Në një litër naftë vetëm taksat arrijnë në rreth 120 lekë duke e rënduar edhe më shumë koston te qytetarët, transmeton Fol Drejt.
Konfindustria ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlametnar për hetimin e shkaqeve dhe rolin e munguar të institucioneve ekzekutive e rregullatore përgjegjëse që sollën rritjen e çmimit të karburanteve. Në një reagim zyrtar, Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria është shprehur se rritja e njëkohshme dhe e përsëritur e çmimeve është tregues i qartë i pranisë së karteleve, monopoleve dhe oligopoleve në tregun më të madh të vendit.
Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri shkruan se kompanitë e naftës kanë rritur marzhin për te qenë të sigurtë nga luhatjet. “Por ky nuk është marzh normal. Eshte spekulativ”, shkruan Tomorri. Ja si e argumenton ai rritjen e çmimit të karburanteve.
“Nuk keni per te gjetur kurre nje rast te vetem ne bote, kur cmimi i naftes ne pompe te jete rritur me 20 cent te euros brenda dites. Thjesht nuk mund te ndodh edhe matematikisht sepse kostot nuk ndertohen brenda nates. Lere pastaj, qe nje kompani sot e rriti brenda sekondes nga 200 leke ne 230 leke. Brenda sekondes vajti bleu anijen ky, e shkarkoi dhe e shperndau neper pikat e pakices me cmimin e ri.
Cfare ndodh ketu? Dollari nuk u rrit me 13 per qind brenda nates, qe te jete pasoje e kursit. Nafta nuk u rrit me 13 per qind brenda nates. Dhe edhe nese do ishte rritur, tregetaret shqiptare nuk u furnizuan pikerisht ne sekondin e pare pasi ndodhi rritja. Dhe nese do ishte rritur me 13 per qind efekti i cmimit ne pompe duhet te ishte vetem 7 per qind. Gjysma e cmimit final formohet nga taksat dhe s’ka lidhje me cmimin ne burse. Tregtaret tane kane primin me te larte se sa vendet e tjera. Dakord. Por primi nuk kerceu brenda dites.
He pra, cfare ndodh ketu?”, pyet Tomorri. Ai lë të kuptohet se qeveria ka në dorë, të paktën, t’u bëjë thirrje tregtarëve të karburanteve të mos abuzojnë.
E vërteta është se rritja e çmimit të naftës e benzinës në Shqipëri me gjasë është spekulative. Ajo i kushtohet disa faktorëve.
E para, tregtarët reflektojnë rritjen e çmimeve në bursë, por asnjëherë uljen e tyre duke e mbajtur çmimin në afatgjatë progresivisht në rritje.
E dyta, situata monopol e importit të karburanteve ose në rastin më të mirë e marrëveshjeve “dumping” për stabilizimin e çmimeve mes tregtarëve e mban çmimin artificialisht lart.
E treta, shteti është i pafuqishëm të ndërhyjë dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk është i aftë të veprojë në mbrojtje të konsumatorit.
Vetë kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ka lajmëruar në fillim të shkurtit një hetim për tregun e karburanteve. Nuk dihet se kur dhe si do të konkludojë ky hetim.
Por, Biba e thotë shkoqur: Autoriteti i Konkurrencës nuk ka asnjë mundësi për ndërhyrje për rritjen e çmimeve. Ja ç’shkruan ai në “Facebook”.
“Ne nje ekonomi te lire tregu, çmimi caktohet nga marredhenia kerkese-oferte.
Edhe sikur te rriten çmimet ne menyre abuzive e te shemtuar nga disa matrapaze qe duan te perfitojne nga situata, nqs nuk ka asnje marreveshje mes ketyre bizneseve apo ato nuk perfitojne nga pozita e tyre dominuese ne treg (psh. ne ato raste kur ofrojne sherbime/produkte unike ne treg), Autoriteti i Konkurrences nuk ka asnje mundesi per nderhyrje. Iu takon deri diku institucioneve te tjera kjo barre”, shkruan ai.
Arsyeja e katërt që pakkush e thotë, mund të jetë lidhja e ngushtë mes qeverisë dhe të ashtuquajturve “oligarkë” në këtë vend. Eshtë e njohur tashmë që “oligarkët” e karburanteve janë partnerë me qeverinë, jo thjesht ligjërisht nëpërmjet koncesioneve e kontratave publike, por edhe në mënyrë të padukshme. Këta oligarkë janë donatorët kryesorë të fushatave elektorale, paradoksalisht jo vetëm për partinë në pushtet, por edhe për partitë në opozitë.
Dhe meqë jemi tek fushatat elektorale, nesër ka zgjedhje. Si për ironi, postimi i fundit në rrjete sociale i Denar Bibës, kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, i përket pikërisht zgjedhjeve. Një ftesë dhe një udhëzim nga ai, si të votosh më 6 mars.
Kushedi sa do të jetë rritur deri nesër çmimi i karburanteve…/FolDrejt/