Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, sot do ta vizitojë Klinikën e Onkologjisë, në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, transmeton Fol Drejt.
Në këtë klinikë, me fillim nga ora 11, do të bëhet shpërndarja e disa protezave të silikonit, proteza gjoksore dhe paruke për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
Ky projekt është mbështetur nga Presidenca e Kosovës.
“Ju informoj se më datë 19 Tetor, në orën 11, në Klinikën e Onkologjisë do të bëhet shpërndarja e 100 kompleteve – 100 proteza silikoni e 100 gjoksore, projekt i mbështetur nga Presidenca e Republikës së Kosovës, si dhe 100 paruke, donacion i Koalicioni K10 dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA Kosova, zyra në Prishtinë. Për shkak se numri është i kufizuar e nevojat janë të mëdha, ju lutemi që të vijnë zonjat, të cilat nuk janë pajisur më herët”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kosovare për luftimin e Kancerit të Gjirit.
Pritet që presidentja t’u adresohet qytetarëve nëpërmjet mediave, pas takimit me strukturat drejtuese të ShSKUK-së dhe Klinikës së Onkologjisë./FolDrejt/