Nga Paul Kirby, BBC
A po përgatiten forcat ruse për të pushtuar Ukrainën? Kjo është sigurisht frika e liderëve perëndimorë dhe në Ukrainë. Vetëm shtatë vite më parë Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës jugore dhe mbështeti separatistët që filluan një konflikt në zona të mëdha të lindjes. Rusia po kërcënon se do të marrë masa ushtarake dhe SHBA nga ana tjetër ka deklaruar se nëse Rusia nëse pushton Ukrainën, atëherë do të kundërpërgjigjet me sanksione në një shkallë të paprecedentë.
Por çfarë po ndodh?
Ukraina ndan kufij si me BE-në ashtu edhe me Rusinë, por si një ish-republikë sovjetike ajo ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë dhe rusishtja flitet gjerësisht në vend. Rusia i ka rezistuar prej kohësh lëvizjes së Ukrainës drejt institucioneve europiane. Kur ukrainasit rrëzuan presidentin e tyre pro-rus në vitin 2014, Rusia pushtoi dhe më pas aneksoi gadishullin jugor të Krimesë nga Ukraina dhe separatistët e mbështetur nga Rusia pushtuan pjesë të mëdha të dy rajoneve lindore të Ukrainës të njohura kolektivisht si Donbas.
A ekziston një kërcënim real?
Ai konflikt që filloi në lindje vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ukraina thotë se Rusia ka dërguar tanke, artileri dhe snajperë në front në zonat e kontrolluara nga rebelët. Por janë forcat ruse përtej kufirit ukrainas ato që janë më shqetësuese dhe shërbimet e inteligjencës perëndimore besojnë se aty ndodhen deri në 100,000 trupa. Nuk ka asnjë informacion që presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të pushtojë vendin.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov ka paralajmëruar se tensionet mund të çojnë në një situatë të ngjashme me krizën e raketave kubane të vitit 1962, kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ishin pranë konfliktit bërthamor.
Shërbimet e inteligjencës perëndimore si dhe të Ukrainës mendojnë se një inkursion ose pushtim mund të ndodhë në fillim të vitit 2022. “Koha më e përshtatshme për të arritur gatishmërinë për përshkallëzim do të jetë fundi i janarit,” sipas ministrit ukrainas të Mbrojtjes Oleksiy Reznikov.
Inteligjenca amerikane thotë se deri në 175,000 trupa ruse mund të përfshihen që në janar, dhe drejtori i CIA-s, William Burns beson se presidenti Putin “po e vendos ushtrinë ruse, shërbimet ruse të sigurisë në një vend ku ata mund të veprojnë në një mënyrë më gjithëpërfshirëse”.
Mund të jetë thjesht një qëndrim në një përpjekje për ta larguar NATO-n nga synimet e Rusisë. Presidenti Joe Biden dhe Putin biseduan me njëri-tjetrin më 7 dhjetor në një përpjekje për të ulur tensionet, por ende situata duket e tensionuar.
Çfarë ka deklaruar Rusia?
Rusia fillimisht i përshkroi imazhet satelitore që tregojnë grumbullimin e trupave në Krime dhe jo shumë larg Ukrainës lindore si alarmante. Shefi i forcave të armatosura Valery Gerasimov madje tha se “informacionet që qarkullojnë në media në lidhje me pushtimin e afërt rus të Ukrainës janë një gënjeshtër”. Por presidenti Putin që atëherë ka kërcënuar se “do të marrë masa adekuate të reagimit ushtarak-teknik dhe do të reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë”, raporton abcnews.al
Moska ka akuzuar Ukrainën për vendosjen e gjysmës së ushtrisë së saj – rreth 125,000 njerëz në lindje, duke pretenduar se Kievi po planifikon të sulmojë zonat e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Ukraina nga ana tjetër e ka cilësuar asgjë më pak se “marrëzi propagandistike” për të mbuluar planet e vetë Rusisë.
Rusia akuzon gjithashtu vendet e NATO-s se po furnizojnë me armë Ukrainën.
Çfarë dëshiron Rusia?
Presidenti Putin ka paralajmëruar Perëndimin që të mos kalojë “vijat e kuqe” të Rusisë në Ukrainë. Pra, cilat janë ato vija të kuqe?
Një prej tyre është ndalimi i zgjerimit të NATO-s më tej në lindje, e cila përfshin Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Rusia gjithashtu dëshiron që NATO të tërheqë njësitë e saj luftarake nga Polonia dhe republikat baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, dhe jo vendosjen e raketave në vende të tilla si Polonia dhe Rumania.
Me pak fjalë, ajo dëshiron që NATO të kthehet në kufijtë e saj të para vitit 1997. Sipas Putin, Rusia synon të shmangë gjakderdhjen dhe të gjejë një rrugëdalje diplomatike, por kjo lloj kërkese duket e pamundur.
Rusia është tashmë e shqetësuar nga dislokimi i avionëve turq nga ana e Ukrainës kundër forcave të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore dhe stërvitjet ushtarake perëndimore në Detin e Zi. Mbështetja ushtarake amerikane për Kievin, në sytë e Putin, po bëhet “në pragun e shtëpisë”.
Në korrik 2021, udhëheqësi rus publikoi një artikull të gjatë në faqen e internetit të Kremlinit, duke i quajtur rusët dhe ukrainasit “një komb” dhe duke etiketuar liderët aktualë të Ukrainës si drejtues të një “projekti anti-rus”. Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, i cili u shemb 30 vite më parë, dhe Putin i ka përshkruar ngjarjet e dhjetorit 1991 si “shpërbërje të Rusisë historike”.
Rusia është gjithashtu e frustruar që marrëveshja e paqes e Minskut e vitit 2015 që synon përfundimin e konfliktit në Ukrainën lindore është larg nga përmbushja e synimit. Ende nuk ka marrëveshje për zgjedhje të monitoruara në mënyrë të pavarur në rajonet separatiste, raporton abcnews.al
Rusia ka mohuar akuzat se është pjesë e konfliktit të vazhdueshëm.
Ndihma e NATO-s për Ukrainën
Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s përpiqet të mbrojë vendet dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg, e ka bërë të qartë se çdo mbështetje ushtarake është pikërisht në ato linja.
Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë Ukrainën të ndërtojë dy baza detare, në Ochakiv në Detin e Zi dhe në Berdyansk në Detin Azov. Raketat amerikane antitank Javelin janë dërguar gjithashtu në Ukrainë dhe dy anije patrullimi të Rojës Bregdetare të SHBA-së i janë dhënë marinës.
Ndërsa Rusia është e bindur se nuk do të lejojë që Ukraina të bashkohet me NATO-n, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po kërkon një afat kohor të qartë nga aleanca. “I takon Ukrainës dhe 30 aleatëve të NATO-s të vendosin se kur Ukraina është gati të bashkohet me aleancën”, ka thënë Stoltenberg. Rusia “nuk ka veto, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në atë proces”./abcnews.al