Selami Elshani, 59 vjeç, çau përmes kufomave të bashkëfshatarëve të tij, zjarrit e benzinës, për të dalë i gjallë dhe dëshmuar mbi mizorinë e krimeve të ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë.
I mbijetuari i masakrës të Krushës së Madhe, përkundër që është dëshmi e gjallë, thotë se vetëm njëherë avokatë nga Haga i morën dëshminë në Tiranë, për të cilën s’bënë asgjë dhe s’dënuan askënd. Pas luftës, një herë u ftua për të shkuar në Hagë dhe pas qëndrimit një natë në një hotel të Prishtinës prej ku të nesërmen pati në plan të fluturonte për të dëshmuar para Tribunalit, Elshanit iu kërkua të kthehej me autobus në shtëpi pa i treguar arsyen për anulimin e dhënies së dëshmisë. Që nga ajo ditë askush më nuk u interesua për dëshminë e tij.
Ai me doemos dëshiron të dokumentojë rrëfimin e tij dhe t’i dënojë kriminelët që e lanë të gjymtë dhe i vranë familjarë e shokë, prandaj asnjëherë s’u ndal së treguari historinë e tij të trishtë në media të huaja e vendore.
Elshani nga fshati Reti e Rahovecit me familjen e tij shkoi në Krushë të Madhe me mendimin se do të gjenin strehë të sigurt derisa lufta kishte kapluar vendin, por pas disa muajve qëndrim i doli krejt e kundërta. Pikërisht në këtë fshat ndodhën masakrat me përmasa gjenocidale nga forcat serbe.
“Më 25 dhe 26 mars të 1999-ës çetnikët serbë ndërmorën ofensivë të madhe dhe e futen Krushën në shtetrrethim. Më parë ne u larguam nga shtëpia e dajës dhe afër 500 veta u fshehëm në një përrua në periferi. Policë serbë na hipën përmbi si orla dhe ne u detyruam të dorëzoheshim. Na ndanë në disa rreshta dhe aty u krijua njëfarë korridori që familjarët tonë të kalojnë anës nesh për t’i dërguar në xhami. I pashë dy djemtë e mi të vegjël që kaluan dhe njëri m’i shkeli gishtat e këmbëve, por s’guxova as me e këqyr. Lotët më shkonin ri rekë se kallashët i kemi pasë mbi kokë”.
“Kemi qenë 200 meshkuj diku, shumica moshë rinore. E morën një shtagë të çobanit dhe na rrahën. Mua ma thyen dorën, hala e kam shipkën. Ashtu me dorë të thyer më detyrojnë që vetë i treti t’i ngarkojmë 220 litra naftë në kamion. Pastaj na ndanë. Kishte serbë që na njihnin mirë se jemi rritë me ta. Na kontrolluan dhe na thanë se jemi për pushkatim. Ishim diku 17 veta që na dërguan në një ahër (stallë) ku edhe u bëmë grumbull prej frikës. Policët rreshtohen përpara neve për të na pushkatuar. Për fat timin një polic e ka shkrepur një plumb pa u dhënë urdhri. Dikë e ka prekur, por mua jo. Unë rashë me fytyrë për dheu, s’e di se si. Pastaj, filluan rafall kallashat. Kanë shkrepur fishekë sa s’kanë pasë kohë as me bërtit rametlitë. Mua më ranë kufomat përmbi. I dëgjoja serbët duke thënë “ta kryejmë më shpejt se po na presin shumë punë”. Kishin për të kryer masakra tjera. Unë mendoja që të rrija ashtu derisa të largohen. Kur filluan të qesin talla dhe benzinë e kuptova që po duan të na hupin gjurmët. Ata e kishin shti flakën dhe ishin larguar. E ndjeja një temperaturë të madhe, por ishte problem me lëviz. Nga një plumb na kanë dhënë kur kishim ra përtoke dhe mua më ka prekur në shpatull. Iu luta Zotit për ndihmë dhe më ndihmoi. U rrotullova dhe flaka kish ra afër 10 cm mbi trup timin deri ku ka pikur benzina. U detyrova ta shqyej zjarrin dhe e pashë që kishte pasë diku 60 cm prush përmbi trup. U çova në mesin e flakës dhe u ula në dy gjunjë. E di që e nxora një bërtimë të madhe dhe s’dija më asgjë. Se si dola prej zjarrit në atë dhomë unë s’e di. Aty m’u kthye menjëherë të pamurit dhe forca dhe fillova t’i heq rrobat. Aty e pashë që lëkura me gjithë thonjtë e mi ranë”.
Ashtu i djegur Elshani doli nga stalla dhe gjeti një krua për t’u freskuar, sepse donte që të shihte mos dikush ka mbetur gjallë dhe t’i dilte në ndihmë. Por, pa vetëm trupa të masakruar grupe-grupe. Destinacion tjetër kishte xhaminë për të parë nëse kishte gjallë fëmijët dhe gruan.
“Shkova përmes shtëpisë së hoxhës dhe aty i gjeta tri kufoma si thasë. Prapë u ktheva te dera xhamisë dhe i dëgjova disa zëra që nuk munda t’i dalloj a janë shqip a serbisht. Dola prej aty dhe e mora një vendim për të shkuar te serbët poshtë që të më pushkatojnë se s’kisha zgjidhje tjetër. Kur filloi të binte terri sytë filluan të më mbylleshin dhe mendova që të ma japin një plumb. Tri herë e qita këmbën për të shkuar teposhtë dhe të tri herët m’u duk se më ndali diçka. U drejtova për kah shtëpia e dajës për të gjetur ndonjë yndyrë për t’u lyer se jo për me gjet njerëz. Aty e gjeta babën tim dhe disa tjerë. Hyra në bodrum dhe kërkova ndihmë prej tyre. “Kush je ti?” – më thanë, se nuk më njohën. Aty e kuptova që puna ime e ka pasë dhe më lëshoi trupi krejt. Rashë përtoke”.
Nuk bëhej fjalë për ndihmë mjekësore, sepse Elshani duhej të vazhdonte betejën e ashpër për të mbetur gjallë. Në atë gjendje si ishte, familjarët e moshuar u detyruan ta fshihnin jashtë shtëpisë në najllon të specave ku temperatura veç sa rritej. Pas dy ditëve fshehje, ai ia doli të shkojë në Tiranë në spital. Ndonëse i pafuqi dhe i mbështjellë në fasha, Elshani vullnetshëm dha intervista për gazetarë të huaj me synimin ta merrnin vesh krejt bota çka po ndodhte në Kosovë.
Që nga paslufta, Elshani, edhe pse i pashpresë, s’e ka ndërruar numrin e telefonit në pritje të ndonjë gjykate vendore apo të huaj që interesohet për të vënë drejtësi për torturën e përjetuar.
S’isha fort i rritur, shpëtova
Si 11 vjeçar, Urim Sejfullahu, pak metra më poshtë pasi u rendit në rreshtin e grave dhe pleqve, dëgjoi krismat e armëve që ia vranë axhën e tij. Për dy vjet me radhë ai s’vuri gjumë në sy natën nga trauma.
“Kur hyri NATO, forcat serbe e rrethuan Krushën e Madhe me tanke. U çuam në 2 të natës dhe deri ka ora 10 i ditës kemi qëndruar nëpër shtëpi me plot refugjatë të fshatrave tjera. I lëshuam shtëpitë dhe një pjesë e madhe e katundit kaluam dy-tri net nëpër përrenj. Pastaj, na thanë se duhet ta lëshojmë edhe atë vend. I pari që doli ishte axha, Osmon Sejfullahu, profesor i artit. E gjitha familja dhe fshati ishim pas tij. Kur u ngjitëm lart e pamë fshatin që po i dilte flaka. Ishin paramilitarët. Axhën e pyetën se me çfarë planprogrami ka punuar. Ai iu përgjigj: “Me të Republikës së Kosovës”. E ndanë për pushkatim. Pra, aty na kanë ndarë, burrat në njërën anë dhe gratë, pleqtë e fëmijët në tjetrën. Në fakt i merrnin edhe djemtë e moshës sime që ishin më të zhvilluar, por unë s’isha fort i rritur atëherë”.
Premtimin e fundit që i bëri nipit të vogël, Osmon Sejfullahu s’e mbajti.
“Fjalët e fundit që ia thashë axhës ishin “hajde me ne”. Ma ktheu se do të vinte më pas, por s’erdhi kurrë. Sot e asaj dite nuk dimë gjë për të. Neve na thanë të shkojmë drejt rrugës kryesore dhe pak më tutje kemi dëgjuar krismat e kallashit që gjuajtën në ta. I pamë mirë prej poshtë. Ne kemi qëndruar te miqtë e Ukshin Hotit dhe u bëmë bashkë edhe me disa të tjerë. Vinin paramilitarët kërkonin dukat e pare. Pastaj na detyruan me u nis dhe hipëm në traktorë, burrat i nisnin me kamionë. Aty paramilitarët serbë e kanë marrë një vajzë të mahallës tonë dhe e kthyen prapë”.
Prej Shqipërisë ku qëndroi si refugjat, ai u nis drejt Zvicrës ku jeton edhe sot. Por, vitet e adaptimit në shkollë nuk i kishte të lehta.
“Mësuesja më ka dashtë shumë. Vinte te familja jonë për të ngrënë pite. Një ditë iu tha prindërve të mi se Urimi e ka një problem – po fle në klasë. Ajo s’e dinte që natën s’kam mundur të fle për dy vjet rresht. Edhe sot e kujtoj ngjarjen sikur të kishte ndodhur para dy dite”.
Sejfullahu, që u bë dëshmitar i vrasjeve, torturave e përdhunimeve, vazhdon luftën për dokumentimin e saj me gjithë çka mundet të bëjë.
S’ia falim Serbisë as një lugë çaji
Afaristi Sejfullah Sejfullahu, 50 vjeç, mori përgjegjësinë dhe besimin e fshatit që të mbledhë dëshmi nga të gjitha familjet e Krushës së Madhe për t’i pasë ato kur të ngritet padia ndaj Serbisë.
I shqetësuar ai thotë se dëshmitarët e gjallë po vdesin dita-ditës pa dhënë dëshmitë e tyre derisa ankohet se institucionet as nuk ndihmuan për përgatitjen e padive ndaj kriminelëve.
Megjithatë, Sejfullahu thotë se shtetin e Kosovës e presin një numër i madh dëshmish në Krushë të Madhe, të cilat do t’i dorëzojnë kur të shohin seriozitet te Ministria e Drejtësisë.
“Ne po i grumbullojmë dëshmitë që edhe nëse na ndodh diçka neve dëshmitarëve, të jenë ato. Na kanë marrë shumë dëshmi origjinale hetuesit e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe na kanë humbur. Duke parë neglizhencën e institucioneve dhe gjykatave ndërkombëtare, në vitin 2014 kemi nisur mbledhjen e dëshmive për secilën familje. Për momentin kemi dëshmi diku 11 dosje të mëdha. Serbia na ka borxh përgjegjësinë për 241 viktima dhe e ka obligim të na tregojë të vërtetën për 64 të zhdukur të Krushës së Madhe, 53 milionë dollarë ia ka borxh vetëm Krushës së Madhe, pa e përfshirë arin dhe një pjesë të dëmit monetar që s’i kemi kompletuar. Ne s’ia falim Serbisë as një lugë të çajit, as një gjë për të cilat i kemi dokumentet. Edhe Tribunali i Hagës e ka pranuar zyrtarisht se ka pasë dy krematoriume dhe tetë varreza masive. Çka duhet me pasë më shumë?”.
Sejfullahu thotë se asnjë qeveri nuk mund të vë nënshkrim në një marrëveshje me Serbinë pa dhënë përgjegjësi për krejt dëmet e shkaktuara dhe s’duhet të kalojë me vetëm një kërkimfalje.
Nga ana tjetër, të pakta kanë qenë iniciativat për të dokumentuar rrëfimet gojore të të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Në fillim të këtij viti u bë publik lajmi se Ministria e Kulturës bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të ndihmuar nga Ambasada e SHBA-së, do ta realizojnë projektin ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”. Me këtë projekt synohet të dokumentohet një pjesë e luftës së fundit në Kosovë.
Me marrjen e pushtetit, kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë bëri thirrje publike për të gjithë qytetarët që kanë dëshmi nga lufta t’i dërgojnë në adresë të saj.
“Pas thirrjes për dërgimin e dëshmive apo provave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë me qëllim të dokumentimit të tyre në nivel institucional, Ministria e Drejtësisë ka pranuar një numër të dëshmive nga qytetarët deri tash. Ata i janë përgjigjur kësaj thirrje duke dërguar dokumente, informacione, foto apo video të cilat dëshmojnë krimet e kryera në Kosovë. Ministria e Drejtësisë me themelimin e mekanizimit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë do të bëjë mbledhjen, verifikimin, sistematizimin, arkivimin dhe publikimin e të dhënave të mbledhura”, ka thënë Ministria.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se sipas të dhënave që kanë 13.535 persona janë vrarë dhe zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. Prej tyre 10.812 janë shqiptarë, 2197 janë serbë, 275 janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, 95 boshnjakë dhe 156 të etnive të tjera. 8676 nga shqiptarët kanë qenë civilë, ndërsa 2133 pjesëtarë të UÇK-së.
Ndërkaq, Blakaj thotë se me aktgjykim të plotfuqishëm në Gjykatën e Hagës u dënuan për krime lufte tetë persona, gjashtë prej tyre serbë dhe dy shqiptarë. Një gjykatë në Serbi që i gjykon krimet e luftës në Kosovë ka dënuar deri më tani 17 persona, 15 prej të cilëve serbë dhe dy shqiptarë.
Gjykatat në Kosovë kanë dënuar 41 persona me aktvendim të plotfuqishëm, 34 prej tyre janë shqiptarë, gjashtë serbë dhe një rom.