Conor McGregor është shpallur së fundmi atleti më i pasur në botë, për herë të parë nga revista Forbes, duke lënë prapa ikonat e futbollit Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Por kjo nuk duket se vjen nga aktiviteti i tij sportiv, por ai i biznesit.
McGregor ka fituar rreth 140 milionë dollarë në 12 muajt e fundit të dominuar nga pandemia globale, dhe për këtë falenderon shitjen e aksioneve të tij në kompaninë e uiskit ‘Proper 12’.
Nga duelet e tij në ringun Octagon, McGregor ka fituar vetëm rreth 18 milionë dollarë, pasi humbi në sfidën e tij të dytë me Dustin Poirier në janar të këtij viti në Abu Dhabi.
Ndërsa Lionel Messi, i cili ka qenë në faqet e para të gazetave 12 muajt e fundit prej kërkesës për t’u larguar nga Barcelona, renditej i dyti me $110 milionë nga kontrata e tij pesë-vjeçare $600 milionëshe me klubin.
Rivali i madh i Messi-t, Ronaldo, aktualisht sulmues i Juventus, renditej i treti me vetëm $100 milionë.
Ndërsa McGregor, përveç shitjes së kompanisë së uiskit, ka shtuar fitimet e tij edhe me anë të angazhimit në kompanitë DraftKings, video-game Dystopia dhe ‘Roots of Fight’.
Kjo është vetëm hera e tretë që një sportist fiton më shumë se $60 milionë jashtë sportit të tij, dhe ka ndodhur më parë me golfistin Tiger Woods e tenistin Roger Federer.
McGregor është gjithashtu luftëtari i parë i arteve marciale të përziera që del në krye të listës së Forbes, dhe irlandezi i parë që e bën këtë.