Grupi gjerman Lufthansa njoftoi të enjten se ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Financave të Italisë për blerjen e 41 për qind të aksioneve të kompanisë ajrore italiane ITA Airways.
Vlera e blerjes është 325 milionë euro, sipas një deklarate nga Lufthansa. Si pjesë e marrëveshjes, ministria u zotua për një rritje të kapitalit prej 250 milionë euro në ITA, thuhet në deklaratë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Si një kompani ajrore, ITA do të bashkëpunojë ngushtë me Lufthansa Group për të përfituar nga sinergjitë e grupit”, thuhet më tej.
ITA Airways bëhet transportuesi i pestë në rrjetin e kompanisë gjermane. ITA Airways u themelua në tetor 2021 pas mbylljes së kompanisë ajrore 75-vjeçare Alitalia.
Transportuesi italian numëron 4.000 vende pune dhe transporton 10 milionë pasagjerë çdo vit me një flotë prej 66 avionësh./FolDrejt/