Lojtari i Real Madridit dhe lojtari i kombëtares kroate, Luka Modriç mund të largohet nga klubi madrilen në fund të sezonit, pasi mori një ofertë prej 120 milionë eurosh për një kontratë trevjeçare nga një klub i paidentifikuar për publikun nga Arabia Saudite, raporton mediumi spanjoll Okdiario.
Kapiteni i kombëtares kroate ka kontratë me Realin deri më 30 qershor të këtij viti dhe sipas marrëveshjes së mëparshme, ai mund të vazhdojë bashkëpunimin me klubin madrilen edhe për një sezon pas përfundimit të sezonit. Drejtuesit e Realit ranë dakord me Modriçin që futbollisti kroat të nënshkruajë kontratë njëvjeçare në vlerë prej 10 milionë eurosh.
“Modric me shumë gjasa do t’i thotë lamtumirë Realit dhe Santiago Bernabeut në ndeshjen kundër Bilbaos të dielën. Ai tashmë ka njoftuar drejtuesit e Realit se synon të shkojë në Arabinë Saudite. Dukej se do të vazhdonte kontratën, por më pas erdhi një ofertë e pasur dhe Modric ndryshoi mendim”, tha gazetari spanjoll Pedro Antolinos, transmeton Fol Drejt.