Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, deklaroi se ndajnë të njëjtat ide me Kinën për rendin aktual dhe të ardhshëm të botës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lukashenko u takua me ministrin kinez të Mbrojtjes, Li Shangfu, i cili dje vizitoi Minskun, njoftoi agjencia e lajmeve bjelloruse BelTA.
“Bjellorusia dhe Kina mbrojnë një botë shumëpolare, integritetin e tyre territorial dhe unitetin e kufijve të përcaktuar pas Luftës së Dytë Botërore. Ata mbeten të përkushtuara ndaj parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve. Shkurtimisht, e gjithë paleta e politikës së jashtme kineze është e ngjashme me tonën”, theksoi Lukashenko.
Duke theksuar se Bjellorusia ka mbështetur të gjitha nismat e Kinës që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 31 vjet më parë, Lukashenko tha: “Sepse ne shohim që politika e brendshme dhe e jashtme e Republikës Popullore të Kinës është plotësisht e drejtë dhe synon zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve”.
Ai ka deklaruar se bota po kalon një periudhë të paqëndrueshme dhe sipas tij nuk është faji as i Bjellorusisë dhe as i Kinës dhe se në “këto kushte ata mbështeten në miqësinë e Federatës Ruse dhe Kinës”. Lukashenko theksoi se bashkëpunimi ushtarak midis Bjellorusisë dhe Kinës nuk synon vendet e treta.
Duke kujtuar se lideri bjellorus arriti një marrëveshje me presidentin kinez, Xi Jinping, për zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak, përfshirë industrinë e mbrojtjes, gjatë vizitës së tij në Pekin në mars, ministri kinez Li theksoi se vizita e tij synonte të vinte në praktikë këtë marrëveshje të nivelit të lartë.
Li u takua një ditë më parë me homologun e tij, Viktor Hrenin, në kuadër të vizitës së tij në Bjellorusi.
Para vizitës së tij në Bjellorusi, ministri kinez pati kontakte në Rusi dhe në fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, theksoi se “ata janë të gatshëm të thellojnë bashkëpunimin e mbrojtjes me Iranin dhe Bjellorusinë, anëtarët e rinj të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO)”.
Bjellorusia dhe Kina janë shënjestër e kritikave nga SHBA-ja dhe vendet evropiane me arsyetimin se i dhanë mbështetje diplomatike Moskës dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ushtarak në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar vendosi sanksione për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.