Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka kërcënuar sërish Perëndimin ,me sulme këtë herë ndaj kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez Emanuel Macron.
Me fjalë ofenduese ndaj dy liderëve evropianë, presidenti bjellorus riktheu në tryezë kërcënimet bërthamore.
Presidenti i Bjellorusisë i quajti kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron “fëmijë të vegjël që përdorin negociatat e tyre me Vladimir Putin për marrëdhënie me publikun”.
Lukashenko vuri në dukje se nuk kanë mbetur më politikanë të fortë në Evropë. Konkretisht ai tha se në vendet e Europës Perëndimore “nuk ka më politikanë të të njëjtit nivel si ai i Charles de Gaulle, Zhak Shirak, Helmut Kohl apo Angela Merkel.
“Solchz është një fëmijë që nuk kupton asgjë dhe nuk dëshiron të kuptojë politikën”, u tha Lukashenko gazetarëve, duke komentuar deklaratat e kancelarit për përmbajtjen e bisedës së tij me presidentin rus.
Lukashenko gjithashtu përmendi se jo shumë kohë më parë, Macron po “promovonte veten te gazetarët” duke folur me Putinin.
“Ky është një fëmijë, një fëmijë i vogël”, tha ai.
Në një pikë tjetër të deklaratave të tij, ai solli në plan të parë kërcënimin bërthamor, duke theksuar: “Duhet të kuptojnë se asnjë avion dhe helikopter nuk do t’i shpëtojë nëse tensioni përshkallëzohet.
Nëse ka ndonjë provokim serioz kundër Bjellorusisë, ne i kemi “bllokuar” objektivat tanë. Këto janë qendrat vendimmarrëse.
Ne i njohim ata”, duke shtuar se përkeqësimi i marrëdhënieve të Evropës me Bjellorusinë do të thotë “një përkeqësim i marrëdhënieve me shtetin e bashkuar të armatosur bërthamor Bjellorusi-Rusi”./abcnews.al/