Qendra “Gjenocidi në Kosovë plagë e hapur”, u ka shtruar një kërkesë institucioneve të vendit që nga zyra e Presidentes e gjer te partitë politike, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.
Duke marrë si shembull Britaninë e Madhe, kjo qendër ka përmendur faktin se në disa vende të botës, prej një shekulli, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për t’i kujtuar të rënët gjatë luftërave.
Ndaj, siç thuhet në njoftim, pas konsultimeve të shumta, kjo qendër “mbështeti idenë e Adnan Asllanit, që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë. Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar prej tij paraqesin katër format e akteve gjenocidare, që Serbia zbatoi në Kosovë:
vrasjen,
dhunën seksuale,
spastrimin etnik dhe
shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.”
“Përveç domethënies së veçantë që ka çdo petal i simbolit tonë dhe që e dallon nga forma e petaleve që kanë lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera, në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon edhe “zemra e lulëkuqes”: në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë paraqitur figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive, që ishin viktima të këtij gjenocidi.”
“Me një fjalë, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra- mijëra shkatërrimeve që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.” thuhet tutje në kërkesën e kësaj qendre /FolDrejt/