Mbeturinat e kanë mbuluar kryeqytetin. Si shenjë e pakënaqësisë, punëtorët e kompanisë “Pastrimi” janë futur në grevë, e për rrjedhojë nuk janë mbledhur mbeturinat, duke bërë që kryeqyteti të “lulëzojë” prej tyre, shkruan Fol Drejt.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, në një reagim në rrjetet sociale ka thënë se “kjo situatë është e papranueshme”, ndërsa ka treguar se janë duke punuar në drejtim të zgjidhjes së problemit.
Ky është postimi i tij i plotë në llogarinë e tij në Facebook:
Të nderuar banorë të kryeqytetit,
Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë.
Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme.
Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti.
Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.
Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën./FolDrejt/