Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë zhvilluar një vizitë katërditore në Strasburg, të cilën e ka organizuar Këshilli i Evropës.
Në kuadër të kësaj vizite, Maloku dhe Lumezi, vizitë kjo, në të cilën po marrin pjesë përfaqësuesit kosovarë të nivelit më të lartë të sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme, me ç‘rast janë takuar me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Komisionarin për të Drejtat e Njeriut dhe Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT), transmeton klankosova, përcjell FolDrejt.com.
Në këto takime, udhëheqësit e sistemit prokurorial të Kosovës, Maloku dhe Lumezi, diskutuan për një sërë temash me interes, të cilat ndërlidhen me interpretimin e konventave të ndryshme evropiane, punën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatimin e vendimeve të GJNDNJ-së dhe praktikat e saj të mira, bashkëpunimin me vendet anëtare të KE-së në luftën kundër torturës dhe në mbështetje të sistemit të drejtësisë penale, rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues dhe transformimet digjitale të institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale.
Në përmbyllje të vizitës në Strasburg, u tha se këto institucione dhe mekanizmat e tjerë evropianë të drejtësisë mirëpresin bashkëpunimin e ndërsjellë më përfaqësuesit e organeve të drejtësisë të Kosovës dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të zhvillimit dhe avancimit të mëtejmë të tyre.