Ndejat e elites jorrallëherë lirojnë hapsirë të posaçme për nënçmimin e masës. Kur bëjmë fjalë për nënçmimin e masës, kemi për qëllim: akuzimin e tyre për moskuptim a kuptim të cekët. Mbase, edhe mund të jetë kështu, thënë ndryshe, është më se normale që masa dhe elita të ketë disbalancë në kuptimësinë e çështjeve. Madje, ky është dallimi thelbësor mes tyre.
Përtej akuzës, që qe me vend në shumicën e rasteve, përqeshja nuk duhet të banojë në “mjediset” e fjalëve të elitës, të cilën e shohim si vatër ku me delikatesë zgjedhen fjalët. Pra, elita thirret për të filluar thirrjen reformuese brenda shoqërisë. Tallja me masën duhet të jetë gjë e huaj për të. Ngase, këtu lindë relacioni armiqësor elitë-masë, duke iu shmangur parimit bazë, mbi të cilin elita dhe masa bashkërendojnë njëra me tjetrën, tamam si simbiozë.
Tjetër, të qenit pjesë e masës është tejet e rëndësishme, aty buron thjeshtësia e modestia, nga ku buron elita. Elita në strukturën më të thjeshtë, në formulën empirike të saj, ka masën si elementin kyç. Nganjëherë klimaksi i elitës qëndron pikërisht në të qenit pjestar i masës. Kujtojmë këtu, Adem Jasharin, a thua do ta shtonte “elitarizmin” e Ademit sikur të ishte profesor e doktor?! Asnjëherë! Mu kjo e bënë të madh.
Natyrisht që, përqeshja e masës bëhet për ta ngushëlluar veten, sepse elita nuk respektohet sa duhet ose sa mendon se e meriton. Por, kujdesi duhet të jetë i pashmangshëm në këtë drejtim. Kjo mund të çojë në shthurjen e linjës: elita edukon masën. Ndryshe, masa do të mjaftohet me aforizmat që ajo i krijon, sillet në rrethin e tyre vicioz, pa reflektim serioz.
Elita ka kuptim vetëm kur masa zgjohet!
Ilaz Hajra – Lumi