I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se sonte do të jetë mysafir në televizionin Klan Kosova, shkruan Fol Drejt.
Abdixhiku kësisoj është rreshtuar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila dje njoftoi se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Për më tepër Abdixhiku e ka cilësuar qeverinë aktuale “regjim totalitar”.
Për më shumë, lexojeni postimin e plotë:
Sonte, nga ora 20:45, jam mysafir i Adriatikut, në Klan Kosova, televizionin që regjimi totalitar po provon ta mbyllë me çdo mjet.
Sonte, jam në thirrje publike për çdo mendje të lirë në këtë vend, për secilin që e do Republikën të lirë e pa shtypjen e pushtetit mbi të; të rreshtohet me të drejtën kur ajo ballafaqohet me një kërcënim kaq të paprecedentë.
Forca jonë si shoqëri, si komb e popull, qëndron mu në diversitetin tonë, në aftësinë tonë për të pyetur, për të kritikuar, për të kundërshtuar – për të qenë të lirë. Kjo liri është thelbi i një rrugëtimi në zhvillim. Është përmes kanaleve të tilla, platformave të gazetarisë së vërtetë dhe zërave të guximshëm, që ne e mbajmë gjallë thelbin e demokracisë.
Përpjekja për të mbyllur Klan Kosovën nuk është përpjekje për të heshtur vetëm një stacion televiziv. Është përpjekje për të shtypur parimet që na lejojnë të flasim, të mendojmë dhe të jetojmë lirisht.
Prandaj Kosova nuk mund të qëndroj e heshtur tani. Prandaj Kosova ka nevojë për reagim shoqëror në një moment kritik. Prandaj kundërshtimi popullor sot – dhe sidomos sot – është domosdoshmëri./FolDrejt/