Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar lidhur me situatën e djeshme që u krijua në Kuvendin e Kosovës, ku u përleshën fizikisht pozita e opozita.
Përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Lushtaku ka thënë se ka pranuar mijëra telefonata e mesazhe përkrahëse.
Lushtaku më tej ka thënë se e kanë obligim që t’i largojnë udhëheqësit aktualë nga qeveria, të cilët i quajti mashtrues dhe se duhet të shkohet sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme.
“Dje, pas dhunës së ushtruar nga Qeveria e Zdravos, kam pranuar mijëra telefonata dhe mesazhe që nuk kam mundur t’u përgjigjem.
Duke ju falënderuar për mbështetjen tuaj, me krenari e them se e kemi obligim që këta mashtrues t’i largojmë sa më shpejt nga qeveria dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme!
Sepse, këta nuk e vlerësojnë kontributin e UÇK-së, përdhosin veteranët, familjet e dëshmorëve, nuk ofrojnë zgjidhje për problemet reale, nuk punojnë, fusin frikë në administratën shtetërore dhe ua bëjnë jetën e pa rehatshme në mënyrë që ata t’i lëshojnë vendet e punës që më pas t’i zëvendësojnë me militantët e tyre partiak, sektorin privat duan ta zhdukin nga veprimtaria ekonomike, pastaj intrigojnë dhe mashtrojnë qytetarët kinse po mbrojnë sovranitetin mirëpo në realitet i shërbejnë vetëm Serbisë dhe Rusisë.”, ka thënë Lushtaku.
“Në arenën ndërkombëtare asnjëherë më parë pozicioni i Kosovës nuk ka qenë më i brishtë, mirëpo e rëndësishme për ta është që pozicioni dhe koordinimi i tyre të jetë i mirë me Milan Radojçiq – ndërmjetësuesin e Vuçiqit.
Për këto dhe shumë arsye tjera të cilat vështirë se mund të përmblidhen në një status të vetëm, I GJITHË POPULLI MË MASOVISHT SE KURRË DUHET TË ZGJOHET DHE T’I THOTË STOP QEVERISË ZDRAVO – QEVERISË NOSTALGJIKE TË JUGOSLLAVISË!”, ka shtuar më tej./FolDrejt/