Ish-kreu i Skenderajt, Sami Lushtaku është liruar sot nga akuza për arratisjen nga QKUK’ja që kishte ndodhur në maj të vitit 2014-të, derisa është dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisjet e vitit 2015-të. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express, avokati mbrojtës i tij, Artan Qerkini.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur të martën aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014.
Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt nga QKUK-ja, kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”
Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini ka bërë të ditur për Gazetën Express se i mbrojturi i tij është liruar nga akuza për arratisjen nga QKUK, ndërsa është dënuar me 12 mijë euro për dy arratisjet e tjera, njëra me 21 gusht 2015 dhe tjetra me 22 shtator 2015.
“Është liruar nga aktakuza por është dënuar për arratisjen e dytë dhe të tretë me gjobë prej 12 mijë euro në fakt gjykata e ka përdorë konstruksionin e bashkimit të veprave penale. Për këtë vepër penale e ka shqiptuar gjobën, për arratisje është shpallë i pafajshëm ai dhe të gjithë të tjerët”, ka deklaruar ai.
Sipas avokatit Qerkini, për arratisje nga QKUK të pafajshëm janë shpallur edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellë të Lushtakut, Ylber Blakaj. Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, ndërsa të njëjtit janë dënuar me nga 1 mijë euro gjobë për dy arratisjet e tjera.
Përpos tyre, të gjithë të akuzuarit tjerë janë liruar nga akuzat.