Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që Azerbajxhani të largojë menjëherë trupat që ka në zonat kufitare me Armeninë.
“Forcat e armatosura të Azerbajxhanit kanë pushtuar territorin armen. Ato duhet të largohen menjëherë”, ka shkruar Macron në Facebook.
“Unë i them edhe një herë popullit armen se Franca solidarizohet me ju”, ka shkruar ai në një postim në gjuhën armene.
Macron ka komentuar situatën kufitare në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit pasi ka biseduar përmes telefonit me ushtruesin e detyrës së kryeministrit në Armeni, Nikol Pashinian.
Presidenti francez po ashtu ka thënë se shpreson që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mund të ndihmojë “në kthim të stabilitetit dhe sigurisë në këtë rajon”.
Ndërkohë pala armene ka thënë se Pashinian ka falënderuar Macronin për “qasjen miqësore” ndaj Armenisë.
Forcat e Azerbajxhanit është raportuar të kenë depërtuar disa kilometra në provincën Syunik të Armenisë.
Sipas ministrisë armene të Mbrojtjes, ata po ashtu kanë shkelur në dy zona të kufirit mes dy shteteve më 13 maj.