Platforma e gazetarisë investigative zbulon dokumente që sugjerojnë se Franca kishte armatosur fshehurazi Rusinë midis 2015 dhe 2020.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mohuar akuzat se qeveria franceze ka shkelur sanksionet evropiane duke miratuar eksportin prej 152 milionë eurosh (167 milionë dollarë) të pajisjeve ushtarake në Rusi që nga viti 2015, të cilat Moska tani thuhet se po i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Franca ka vepruar në përputhje me angazhimet e saj ndaj ligjit ndërkombëtar”, tha Macron, në përgjigje të pyetjes nëse është e vërtetë se Parisi i ka dorëzuar pajisje ushtarake Rusisë, edhe pse po përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë vizitës së djeshme në një qendër pritjeje për refugjatët në rajonin Maine et Loire në Francën perëndimore, kreu i shtetit francez u përball me mediat lidhur me gjetjet e një platforme jofitimprurëse të gazetarisë investigative, e cila vërtetoi se midis viteve 2015 dhe 2020 Franca ka armatosur fshehurazi Rusinë.
Macron tha se vendimi për dorëzimin në lidhje me kontratat e armëve u mor nga paraardhësi i tij, Francois Hollande. Disa nga këto kontrata u pezulluan, pasi nuk ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe situatën në atë kohë në vitin 2014, kur Rusia pushtoi dhe më pas aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Ai tha se Pajisjet që iu dorëzuan Moskës përbëheshin nga sasi të vogla dhe shënonin fundin e kontratës përpara embargos.
Të hënën, platforma jofitimprurëse e gazetarisë investigative “Disclose” zbuloi dokumente nga raporti më i fundit i parlamentit francez mbi eksportet e armëve, që zbuloi se Franca kishte lëshuar 76 licenca eksporti për material lufte në Rusi që nga viti 2015. Qeveritë e administruara nga Hollande dhe Macron dorëzuan armët edhe pasi Bashkimi Evropian (BE) vendosi embargo armësh në vitin 2014 pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska.
Raporti i “Disclose” pretendon se qeveria franceze përfitoi nga një boshllëk ligjor i embargos dhe vazhdoi të përmbushte detyrimet e kontratës së armëve pasi embargoja “nuk ishte retroaktive” dhe vlente vetëm për kontratat e reja./FolDrejt.