Presidenti Emmanuel Macron këtë javë ka nisur një turne diplomatik në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën në Ukrainë. Ai mbërriti në kryeqytetin ukrainas, Kiev, të martën pas gati gjashtë orësh bisedimesh me Putin në Moskë të hënën.
Në një konferencë shtypi me presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky, Macron tha se tani ekziston mundësia për t’i çuar negociatat përpara” mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se ai mund të shohë “zgjidhje konkrete” për uljen e tensioneve.
Presidenti francez tha po ashtu se ekziston një vendosshmëri e përbashkët për të zbatuar marrëveshjen e Minskut.
Çdo zgjidhje për krizën mund të marrë muaj, tha ai. Po ashtu, në një dalje për gazetarët, Macron bëri të ditur se Vladimir Putin e siguroi që forcat ruse nuk do ta përshkallëzojnë më tej krizën në kufi.
“Sigurova një garanci që nuk do të ketë përkeqësim ose përshkallëzim,” tha ai para takimit me liderin ukrainas. Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, por ka mbledhur më shumë se 100,000 trupa pranë kufijve të saj.