Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse këto dy vende “nuk sillen me përgjegjësi”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Presidenti Macron në fjalimin e tij të përvitshëm para ambasadorëve të huaj, e përmendi çështjen e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të “disa shqetësimeve” të sigurisë dhe politikës në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se Franca së bashku me Gjermaninë kanë bërë atë që njihet si “propozimi franko-gjerman” i cili sipas tij është rruga e duhur në të cilën duhet të angazhohen të dyja palët.
Gjithashtu, Macron bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen edhe në organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, derisa përmendi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi ekstremisht vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.
Presidenti francez tha se nga autoritetet e Kosovës presin që “paqja të kthehet” në veri.
Në veri të Kosovës që nga fundi i muajit maj janë zhvilluar protesta nga serbët lokalë për të kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë këtij muaji se autoritetet kosovare janë duke u përgatitur për zgjedhje të reja në këto komuna, por, theksoi se fillimisht do të duhej që Bashkimi Evropian t’i tërheqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura si pasojë e “mosveprimit” të palës kosovare për deeskalim të situatës në veri.