Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) sot, Maduro tha se “është shumë e vështirë” kur u pyet për mundësinë e heqjes së sanksioneve amerikane kundër Venezuelës
Sanksionet e SHBA-së janë “rikthyer si një bumerang”, duke prekur ekonomitë amerikane dhe evropiane, tha presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro.
Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) sot, Maduro tha se “është shumë e vështirë” kur u pyet për mundësinë e heqjes së sanksioneve amerikane kundër Venezuelës.
“Për shkak se perandoria amerikane ka qenë gjithmonë e kapur nga agresioni i saj. Shikoni se çfarë po ndodh tani me Rusinë. Të gjitha sanksionet e vendosura – më shumë se një mijë sanksione ekonomike kundër ekonomisë ruse, bujqësisë, naftës dhe gazit – janë kthyer si bumerang dhe sot janë rikthyer kundër ekonomive evropiane dhe amerikane, të cilat po dëmtohen nga inflacioni galopant, ndërsa kanë prekur edhe ekonomitë dhe të drejtat ekonomike të të gjitha vendeve të botës”, u shpreh Maduro.
Karakasi realizoi një “kontakt të rëndësishëm” më 5 mars me një delegacion nga qeveria amerikane dhe mbajtën një komunikim të rrjedhshëm dhe të përhershëm, tha Maduro, duke shtuar se Washington-i autorizoi kompaninë amerikane të naftës Chevron, italiane Eni dhe spanjolle Respol për të lëvizur investimet e tyre në Venezuelë për të prodhuar naftë dhe gaz për tregun e saj.
“Ato janë hapa të vegjël në drejtimin e duhur. Le të kemi durim dhe të vazhdojmë të punojmë për të ecur përpara me përpjekjet tona”, tha ai.
“Dhe shpresojmë se një ditë, Shtetet e Bashkuara të braktisin politikën e tyre të agresionit, të detyrimit, të sanksioneve”, shtoi Maduro.
Përjashtimi i Venezuelës nga Samiti i Amerikës, “gabim i madh”
Në lidhje me përjashtimin e Venezuelës nga Samiti i Amerikave i organizuar nga Organizata e Shteteve Amerikane, Maduro tha se përjashtimi i vendit të tij së bashku me Nikaraguan dhe Kubën, të cilat ai i quajti “vende anti-imperialiste në Amerikën Latine dhe Karaibe”, u refuzua nga më shumë se 25 qeveri në të gjithë rajonin.
“Ky takim i Amerikave është shndërruar në një mbledhje proteste të qeverive kundër përjashtimit dhe i është dhënë një mësim perandorisë amerikane se… koha e urdhrave perandorakë ka mbaruar”, tha ai.
“Dhe unë do të thosha se ishte një gabim i madh i bërë nga administrata e vendit që u përpoq të përjashtonte vendin tonë”, tha Maduro, duke iu referuar mungesës së Karakasit në Los Anxhelos.
Më tej ai tha: “Për fat të keq, i ashtuquajturi Samit i Amerikave u përkeqësua gradualisht nga pikëpamja politiko-diplomatike. Në këto samite nuk diskutohet asnjë çështje e rëndësishme, çështjet prioritare të popujve, problemet kryesore që kemi”.
“Perandoria amerikane synon t’i shfrytëzojë këto raste për të dhënë urdhra, duke besuar se Amerika Latine dhe Karaibet janë oborri i perandorisë amerikane. Ato kohë kanë kaluar”, theksoi ai./FolDrejt/