Rreth 80 persona u plagosën nga zjarri i shkaktuar nga një goditje rrufeje në një magazinë nafte në qytetin kubanez Matanazas dhe 17 zjarrfikës rezultojnë të zhdukur, njoftuan sot autoritetet kubane.
Qeveria më vonë njoftoi se kishte kërkuar ndihmë nga ekspertë ndërkombëtarë nga “vendet mike” me përvojë në sektorin e naftës. Agjencia zyrtare kubane e lajmeve raportoi se rrufeja goditi një tank dhe ndezi një zjarr, i cili më pas u përhap në një tank tjetër.
Helikopterët ushtarakë u përpoqën të shuanin zjarrin dhe tymi i dendur dhe i zi u përhap më shumë se 100 kilometra në perëndim, drejt Havanës.
Qeveria e rajonit Matanza bëri të ditur se numri i të plagosurve ka shkuar në 77, ndërsa 17 persona rezultojnë të zhdukur. Presidenca shtoi se janë zhdukur 17 zjarrfikës që ndodheshin pranë zjarrit duke u përpjekur të parandalonin përhapjen e tij./tch/