Majlinda Bregasi është profesoreshë e gjuhës italiane dhe latine në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Është shkrimtare, dokumentariste e kolumniste. Majlinda është autore e tri romaneve tashmë, ku fillimisht debutoi në letërsi me romanin “Ikje”, pastaj botoi edhe dy romanet e tjera “Fillimi i një fundi” dhe “Gërsheti i prerë”, kurse tani është në përgatitje të romanit të saj të katërt. Bregasi gjithashtu është edhe autore e librit “Përtej debatit politik: analizë e bisedës në debatet televizive”.
Vlen të theksohet se Bregasi është fituese e Çmimit “Anton Pashku”, si dhe veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë evropiane.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
Mario Vargas Llosa kur e interviston Gabriel García Márquez-in, pyetjen e parë që ia bën është “Për çfarë, sipas teje, duhesh ti, si shkrimtar?”, sikur Llosa ta bënte ty këtë pyetje, cila do të ishte përgjigjia?
Në mos për kurrgjë, për të nxitur reflektim mbi tema që kalohen në heshtje duke vazhduar të dhembin sa herë na duhet të përballemi me to.
Cila është sfida e të qenit shkrimtare sot, sidomos shkrimtare grua?
A je në gjendje të shpenzosh kohë dhe mund vetëm për pasion duke marrë parasysh se asgjë nga ajo që ke shpenzuar nuk do të të kthehet mbrapa? Nëse po, ulu e shkruaj. Nuk të bën shkrimtar gjinia, por talenti dhe mendimi. Përndryshe edhe në letërsi, sikurse në gjithë sferat e tjera, gruan mundohen ta shtyjnë në pozitë inferiore.
Gjuhën e keni profesion, kurse letërsinë pasion. Pra, gjuhën e studioni dhe ligjëroni, ndërsa letërsinë e shkruani. Një gjuhë si e jona, që shpeshherë e quajnë të vogël e të varfër, sa mund të krijojë vepra të mëdha letrare?
Nuk ka gjuhë të varfër, ka njerëz pa talent. Nuk ka letërsi të vogël, por popuj të vegjël e për një popull si i yni, letërsia mund të konsiderohet ende luks. Mjafton të kujtojmë faktin se kënga e parë e Lahutës së Malcís u botua në Zarë në 1906 vetëm pas një dredhie. Emri i shtëpisë botuese u vu në faqen e fundit që të grisej menjëherë sapo të dilte nga shtypi. Kjo për shkakun se gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj dhe shtëpia botuese rrezikonte dënimin. Por kjo nuk e pengoi Fishtën të krijonte një kryevepër të denjë për t’u krahasuar me Komedinë Hyjnore të Dantes apo Faustin e Goethes e madje të kandidohej për çmimin Nobel.
Keni botuar vetëm romane. A shkruani edhe forma tjera përveç prozës së gjatë?
Shkruaj poezi, por kryesisht për vete. Poezia më argëton tej mase, por mendoj se poezia ime nuk është në trendin e poezisë së sotme shqipe. Poezia që shkruaj nuk ka ndonjë mision, është përjetim, mendim, moment që ma ka ngacmuar gjithë qenien. Moment që ta paralizon trurin derisa ta nxjerrësh me vargje. Shumicën e pozive i kam humbur, në fakt nuk i ruaj. Por nëse një ditë do botoj një libër me poezi, aty do jenë të mbijetuarat.
Jeni autore e tri romaneve, cilën do ta veçonit dhe pse?
Mbasi mendoj se kemi nevojë të çlirohemi nga gara më shumë se nga çdo gjë tjetër, mbasi çdo copë arti është unike dhe krahasimi e devalvon, dua të them se “Ikje” ishte romani që më solli në rrugën e Zotit. Them kështu sepse çdo ditë bindem se frymëzimi është dhuratë. U jam falënderuese atyre që e vlerësuan atë roman, që nga Super Flaka, botuesja dhe redaktorja e romaneve të mia, Flaka Surroi, të cilën e kam lexuesen më të rreptë, redaktorin e romanit Rrahman Paçarizi, që u apasionua nga “Ikje”, e secilit lexues që nuk i kurseu fjalët e mira. Pa këtë mbështetje nuk besoj se do kisha shkruar “Fillimi e një fundi” e të tjerët më pas. Shpesh e kam përmendur Fillimin e një fundi, por lexuesit po më thonë që jam subjektive, ndaj le të mbetet në vlerësimin e tyre. Unë i shkrova, i nxorra prej vetes, u çlirova prej tyre. Tash ata nuk janë më të mitë, bëni çka t’jua merr mendja.
Tek romani “Fillimi i një fundi” hetohet fakti se ju e integroni dhe e modeloni një subjekt që ndërlidhet tipikisht me historinë. Sa mendoni që historia, fakti e dokumenti i shërbejnë letërsisë?
Mua më frymëzon historia, veçmas faktet e harruara apo të lëna mënjanë. Atë që mësoj vet dua ta ndaj me të tjerët, ndaj kam zgjedhur letërsinë krahas studimeve. Letërsia ka lexues, fatmirësisht letërsia ka lexues. Nuk dua asgjë më shumë sesa ta impresionoj atë lexues me veprat e njerëzve, me dashurinë e sakrificën e tyre, me thjeshtësinë e njerëzinë e njeriut të zakonshëm që di të fshehë bukur beteja të mëdha. Studimet kanë lexues të ngushtë, në kohën tonë ne kemi probleme me lexu njëri-tjetrin, se na duhet të luftojmë për një vendth anonim në Scopus. Kaq vlejmë, kështu jemi reduktuar. Për fajin tonë. Ka me ardh dita që s’kemi për të shkruar më në shqip, po vazhdoi kjo çmenduri akademike.
Kur flasim për ju zonja Bregasi është tejet e rëndësishme që të evidentohet edhe intervista e juaj që i keni bërë At Zef Pllumit, pak kohë para vdekjes së tij. Sa ka pasur rëndësi dhe ndikim kjo ngjarje në karrierën dhe jetën tuaj?
Intervista me Át Zef Pllumin është bërë dy javë para se ai të shkonte. Ajo është e gjitha merita e dëshira e tij. Unë jam aty vetëm pse ai e deshi. Në karrierën time ajo intervistë nuk besoj se ka pasur ndonjë ndikim. Fakti që vetëm shumë vjet më vonë njerëzit u kujtuan për të, flet qartë. Por në jetën time, po. Ai është ati im shpirtëror. Sakrifica e tij do doja të ishte ndërgjegja ime. Pastaj është edhe frymëzimi im. Ai rrojti për me na tregu neve sot se çka ishim edhe kur s’ishim, unë nuk do doja asgjë tjetër sesa ta përhapja fjalën e tij te rinia. Nuk e di sa jeni të vetëdishëm se rinia shqiptare, jo vetëm që nuk e njeh historinë e Shqipërisë në diktaturë, por njeh shumë pak edhe historinë e Kosovës. Më vjen keq që ajo që po ndodh në Ukrainë po shërben për t’u kthyer nga vetja. Historia që harrohet përsëritet.
Shkrimtarët pashmangshëm kur shkruajnë marrin diçka nga vetja, qoftë nga vetja si personalitet, qoftë nga jeta e tyre si proces. Madje, disa qëllimshëm kamuflohen pas personazheve të tyre. Ju me cilin personazh tuaj e identifikoni veten?
Shkrimtari jep më të mirën nga vetja në të gjitha projektimet që realizon, jep mendimet, ndjenjat, shpresat, zhgënjimet, dështimet, dhimbjen, lumturinë… Unë e dua çdo personazh që më bën të ëndërroj, ashtu sikurse e urrej çdo personazh që m’i vret ëndrrat. Mendoj se pa këta të dytët nuk do dinim t’i çmonim ato pika lumturie që përjetojmë. Njeriu është i prirë të mendojë për vete se është njeri i mirë e duke e parë të keqen si diçka që qendron jashtë tij, ndaj as unë nuk bëj përjashtim. Por askush nuk është i prerë në një format, e mira dhe e keqja jetojnë bashkë. Kështu që sigurisht jam edhe te çdo personazh negativ, ndoshta edhe pavetëdijshëm…
Njiheni edhe si lexuese pasionante. Keni ndonjë autor që e rilexoni?
Sigurisht, gjithë ata që më ngacmojnë trurin apo më apasionojnë. Mësoj prej tyre, i dua, grindem me ta, por sa herë u kthehem është një sfidë e re. Është një takim i ri, një rinjohje në kohë e rrethana të ndryshme. Është një dashuri e adhurim i vazhdueshëm që më pasuron gjithmonë.
Sot shkruhet shumë letërsi në Kosovë dhe në Shqipëri. Si i shihni këto dy letërsi në raport me njëra – tjetrën? Më shumë dallojnë apo ngjasojnë?
Rrethanat historike e sociale formësojnë mendime e përjetime të ndryshme, por ajo që i bashkon është dëshira për të bërë art të mirfilltë. Për fat kemi autore e autorë të mirë e plot të rinj që kanë talent e vetëm duhen nxitur e mbështetur me çdo formë. Aty është zhvillimi.
Kur flisni me studentët rreth leximit çfarë përshtypje ju krijohen? Sa lexojnë ata?
Që janë pak të informuar. Si për dreq ata që më së shumti i duan librat, nuk i kanë mundësitë. Përndryshe pa reformim të arsimit, nuk shoh shpresë. Arsimi ynë është në letargji. Duhet një shkundje e sa më pak egoizëm e vetëkënaqësi. Vetëm kështu do mund të reflektojmë me mençuri.
Tashmë e dimë se jeni në përfundim e sipër të romanit të katërt, kur do të botohet dhe a mund të na tregoni në pika të shkurtra se çfarë përmban?
Do të botohet në stinën e pestë. Bëra shaka, por romani i kushtohet stinës së pestë, asaj që i përket njeriut për vete, jashtë pritjeve e paragjykimeve. Është një histori e gjatë dashurie për botën, për shkencën, për njeriun, për mbijetesën. Një histori që sa më shumë e zbuloja aq më pak më dukej se e njihja. Këto ditë romani përgatitet për shtyp./FolDrejt/