Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe numri dy në Lëvizjen “Vetëvendosje” pas Albin Kurtit, Glauk Konjufca, në një intervistë në RTV Dukagjini ka thënë se nuk beson dhe se është gabim të thuhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë prishur qeverinë e fundit të Kosovës. Majde Konjufca, ndryshe nga lideri i partisë, nuk beson që Richard Grenell-i ka pasur dorë në rrëzimin e Kurtit. Sipas tij, një konstatim i tillë është vetëm interpretim i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Një çasje e tillë e kryediplomatit kosovar karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga analisti dhe njohësi i politikës ndërkombëtare, Agon Maliqi, po shihet si një reflektim karshi pasojave diplomatike që ka shkaktuar përplasja e Kurtit me emisarin e Trumpit për dialogun, Richard Grenell.
Maliqi thotë se me gjasë, Konjufca e ka kuptuar dëmin që u është bërë raporteve Kosovë-ShBA dhe thotë se kritikat e tij janë si rezultat i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së tij si personalitet.
“Glauk Konjufca i ka kuptuar me gjasë më mirë pasojat diplomatike dhe politike të kësaj qasjeje dhe kritikat e tija të tërthorta janë në përputhje me karakterin e tij më të pavarur dhe natyrën e tij më të përgjegjshme të dëshmuar prej vitesh”, ka thënë Maliqi
Analisti kosovar thotë se mbase brenda VV’së ka edhe të tjerë që s’pajtohen, por që e kanë të vështirë t’i shprehin pakënaqësitë dhe kritikat e tyre në mënyrë të hapur si rezultat i përjashtimeve dhe linçimeve të së kaluarës ndaj atyre që kanë menduar ndryshe.
“Natyrisht, marrë parasysh momentin, Konjufca, por edhe persona të tjerë mund ta kenë të vështirë ta shprehin pakënaqësinë e tyre hapur në një moment kaq delikat dhe nuk dihet nëse zëra të tillë ka dhe se sa janë. Përjashtimi i zërave kritikë në të kaluarën dhe linçimi publik që iu bë atyre besoj se i dekurajon njerëzit që të shprehen”, ka shtuar Maliqi.
Ai tutje thotë se Kurti në kabinetin e tij prej kryeministri është rrethuar nga ideologë dhe fanatikë, të cilët janë të papërvojë dhe që s’kanë autoritet për të ndikuar te Kurti.
“Por duket qartë se Kurti në kabinet nuk është i rrethuar nga njerëz që mund t’ia frenojnë impulset më të këqija, por nga ideologë dhe fanatikë që ia ushqejnë ato edhe më shumë ose nga të tjerë që mund të kenë synime të mira, por nuk kanë përvojë dhe as autoritet për të ndikuar te ai”, thekson Maliqi.
Ai tutje shton se përplasja e Kurtit me Richard Grenell-in nuk mund të trajtohet si një përplasje me një individ, pasi që Grenell-i i përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se Kurti nuk është opinionist, por drejtues në detyrë i institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Lufta e hapur e kryeministrit Kurti me Richard Grenell-in në mediet ndërkombëtare nuk mund të cilësohet si mospajtim me një individ, sepse Grenell-i e përfaqëson Shtëpinë e Bardhë dhe për rrjedhojë politikën shtetërore. Kurti nuk është opinionist, por kryeministër në detyrë”, shprehet Maliqi.
Njohësi i politikës ndërkombëtare i ka kritikuar edhe intervistat që i jep Kurti nëpër mediet anti-Trump. Sipas Maliqit, një gjë e tillë është plotësisht jodiplomatike dhe e vendos Kosovën në një konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Maliqit, Kurti me një çasje të tillë po tregon se e ka vendosur interesin e tij personal mbi atë të Kosovës.
“Kjo qasje e hapjes së zemrës te mediet liberale, që mezi presin të kenë material kundër Trump-it, është skajshmërisht jodiplomatike dhe e vendos Kosovën në konfrontim të drejtpërdrejtë me ShBA-në. Kurti me këtë qasje mund t’i sigurojë vetes më shumë ftesa nëpër panele konferencash, por ai realisht po e vendos interesin e tij mbi interesin e Kosovës”, shtoi tutje Maliqi.
Në fund, Agon Maliqi thotë se edhe Ukrania ka pasur tensione me Shtëpinë e Bardhë, por shton se asnjëherë presidenti ukrainas nuk ka folur, për shkak të rëndësisë së aleancës me Amerikën.
“Shtëpia e Bardhë pati tensione edhe me Ukrainën (kur ia kushtëzonte ndihmat ushtarake me hetimin e Biden-it) dhe kjo u bë shkak për hetimin e presidentit Trump, por ju nuk e patë në asnjë moment Presidentin Zelinsky duke thënë diçka, marrë parasysh rëndësinë jetike të aleancës”, ka përfunduar Maliqi për Gazetën Express.
Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës në mënyrë të vazhdueshme ka deklaruar se prapa rrëzimit të tij nga pushteti qëndron emisari i Donald Trump-it për dialogun, Richard Grenell. Sipas tij, shtysa kryesore për organizimin e mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës ishte përpjekja për arritjen e një marrëveshjeje Thaçi-Vuçiq, të cilën Kurti e cilësonte edhe sekrete.
Kuri në krye të qeverisë së Kosovës ka ardhur si rezultat i një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një bashkëpunim i tillë politik në krye të institucioneve të Kosovës zgjati vetëm 52 ditë, meqë në mes të dy partive kishte mospajtime të mëdha, sidomos sa u përket raporteve dhe çasjes që duhet pasur me ShBA’në.
Kurti në njërën anë e ka refuzuar në mënyrë kategorike kërkesën e Richard Grenell-it për heqje të taksës pa kushte shtesë, derisa partia që e drejton Isa Mustafa kërkonte që tarifa ndaj Serbisë të hiqet siç po kërkon Amerika.
Një mospajtim i tillë ka rezultaur më prishje të koalicionit, meqë nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaronin se nuk duan të qëndrojnë në një qeveri anti-amerikane.
Isa Mustafa, i përkrahur edhe nga Agim Veliu, ka shtyrë përpara një mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e Kurtit, që mori përkrahjen e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Derisa tashmë vendi gjendet në rrethana të reja politike, LDK’ja si parti e dytë e ka caktuar kandidatin e saj për kryeministër dhe është afër nënshkrimit të koalicionit me partitë e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt. Pritet që së shpejti presidenti Hashim Thaçi ta dekretojë LDK’në për krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Një zhvillim i tillë ka ardhur pas disa letrave që presidenti i vendit i ka dërguar Lëvizjes “Vetëvendosje” si parti e parë që të dërgojë një emër për kryeministër. Duke qenë se s’ka marrë kurrfarë përgjigje nga Kurti, Thaçi ka vazhduar konsultimet me partitë tjera politike, të cilat janë shprehur pro krijimit të një qeverie të re pa shkuar fare në zgjedhje të reja.
Një gjë e tillë po konsiderohet si anti-kushtetuese nga Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila kërkon me ngulm që institucionet e reja të krijohen vetëm përmes zgjedhjeve të reja.