Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 mars, se “Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, është formë e kërcënimit, që po përcillet me veprime konkrete nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, njëherësh bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se deklarata e presidenti serb, Vuçiq është kërcënim retorik i drejtuar, para së gjithash, kah bashkësia ndërkombëtare.
Hapi i parë i materializimit të këtij kërcënimi, sipas tij është “vetsuspendimi” i pjesëtarëve serbë në institucionet e Kosovës në veri të vendit.
“Një pjesë e marrëveshjeve të Brukselit nuk mund të zhbëhen e që deri më tash janë zbatuar, për shembull: kodi telefonik dhe të tjera. Por, ajo që mund të kërcënohet është shkrirja, që kanë formale, e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Por, kjo do të hapte për Vuçiqin një konflikt jo vetëm me Kosovën, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, vlerëson Maliqi.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Marrëveshja gjithëpërfshirëse e parë e Brukselit, e vitit 2013 dhe, siç thotë ai, 38 marrëveshjet tjera të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë si akte ndërkombëtare. Marrëveshja e Brukselit, siç thotë ai, është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe ajo ka fuqinë, madje edhe më të madhe se Kushtetuta.
Janjiq thotë se Serbia nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlamentin e saj, por sipas tij, të gjitha marrëveshjet e obligojnë atë.
Por, shkaku konkret i reagimit të Beogradit zyrtar dhe kërcënimet e Vuçiqit, sipas Janjiqit, nuk kanë bazë logjike, sepse organizimi në Kosovë i zgjedhjeve për institucionet e Serbisë, nuk ekziston në Marrëveshjen e Brukselit.
“Nëse dikush e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit, është Vuçiqi që i ka ftuar ose i ka pranuar në mbledhje kryetarët e gjykatave, përfaqësuesit e policisë, sepse ata njerëz, sipas Marrëveshjes së Brukselit, janë pjesë e institucioneve të Kosovës. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit në nivel të parë dhe kjo nuk mund të kontestohet”, thotë Janjiq.