Kryeministri i vendit, Albin Kurti, lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, ka thënë që është e gabuar që gjithçka që e ka regjimin e Millosheviqit të legjitimohet në Kosovën e pavarur.
“Vendimet që janë marrë nga regjimi i Millosheviqit nuk do të duhej të pranoheshin si vendime të zakonshme të qeverisjeve legjitime e demokratike. E kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet ta ketë një hapësirë rrotull dhe ata kanë nevojë për qetësinë e ambientit, e kuptoj që ata kanë nevojë edhe për ndihmën e qeverisë së Kosovës, por ne e kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviqit të cilët për bindjen time çuditërisht janë pranuar nga një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo në fazat e zakonshme”, ka thënë Kurti në një intervistë në televizionin publik.
Tutje Kurti tha se për Manastirin e Deçanit duhet të ketë dialog.
“Kemi nevojë për dialog, në mënyrë që të trajtojmë këtë brengë të tyre dhe nuk duam t’i dominojmë ose t’i cenojmë, por besoj që duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre që vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”, tha ai.