Në qytetin e alfabetit shqip, në Manastir, po themelohet Biblioteka Shqipe. Nismëtare e themelimit të kësaj biblioteke është Emira Selimi, studente dhe aktiviste shqiptare nga Shkupi. Emira ka kohë që ka filluar të bëjë thirrje për grumbullimin e librave shqip në mënyrë vullnetare që të pasurohet fondi librar për bibliotekën e vetme shqipe në Manastir, shkruan Fol Drejt.
Nga Gëzim Olluri
Manastiri, qyteti i alfabetit shqip së shpejti do ta ketë Bibliotekën Shqipe. Nxënësit shqiptarë do të lexojnë lektyra shqipe e shqiptarët do të lexojnë libra shqip. Nisma e filluar nga Emira Selimi tashmë po bëhet realitet. Shumë vullnetarë e vullnetare brenda e jashtë atdheut po dhurojnë donacione të shumta librash për themelimin e bibliotekës.
Manastiri është qytet me peshë historike për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare. Deri më tash nuk kishte bibliotekë shqipe, mirëpo tash e tutje Manastiri do ta ketë bibliotekën e cila do të flet shqip dhe nga ku shqiptarët që jetojnë e veprojnë në Manastir mund të furnizohen me literaturë shqipe.
Kujtojmë që alfabeti i gjuhës shqipe është njësuar në vitin 1908 në Manastir nga figura të ndritura nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike. Deri atë kohë, kishte disa alfabete shqipe që përdoreshin. Kështu, klubi shqiptar “Bashkimi”, nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit për ta unifikuar alfabetin shqip që do ta përdornin të gjithë shqiptarët.
Kongresi udhëhiqej nga Mid’hat Frashëri, ndërsa kishte edhe personalitete të tjera shqiptare që shquheshin në veprimtaritë e tyre. Në kongres merrnin pjesë rreth 160 delegatë nga të gjitha viset shqiptare e nga mërgata. Aty merrnin pjesë edhe Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Gjergj Qiriazi, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Dom Ndre Mjeda dhe atdhetarë të tjerë që punon dhe vepronin për kombin shqiptar.
Biblioteka Shqiptare me libra shqip do të veproj brenda hapësirave në Muzeun e Alfabetit Shqip./FolDrejt/