Një nga historitë më të mëdha të futbollit të javës është ngjarja në Bayern. Gjermanët njoftuan se Sadio Mane dhe Leroy Sane u përleshën në dhomat e zhveshjes së Bayernit.
Pas humbjes 3-0 nga Manchester City në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, dyshja e Bayernit u përplasën fizikisht në dhomën e zhveshjes së Etihad. Dhe si përfundim Mane e goditi Sanen me grusht në kokë dhe sot bavarezët njoftuan se kanë pezulluar senegalezin.
Bild solli vazhdimin e historisë. Ai zbuloi se sulmuesi senegalez është gjobitur me një gjysmë milioni euro rekord. Gjithashtu, u konsiderua pezullimi afatgjatë dhe madje edhe përfundimi i kontratës. Mirëpo, sipas të njëjtit burim, në një bisedë me drejtuesit e klubit, Sane ka treguar qartë se nuk donte një dënim kaq të rëndë për bashkëlojtarin e tij dhe çështja tani konsiderohet e zgjidhur. Mane mund të kthehet tashmë për ndeshjen e dytë kundër Cityt.
Pse u përplasën?
Portali senegalez Taggat publikoi dje informacione të reja dhe pretendon se Mane është mërzitur nga mënyra se si i foli Sane në fushë, e cila u pasua nga një përballje në dhomën e zhveshjes. Gjithçka nisi në minutën e 83-të, kur Sane kritikoi Manen në fushë se nuk ia pasoi topin.
Sane ishte inatosur me shokun e tij të skuadrës dhe në fushë shpërtheu një debat i ashpër, i cili më pas u zhvendos në dhomën e zhveshjes, ku ndodhi një përplasje fizike. Bild raporton se Mane e sulmoi Sanen në dhomën e zhveshjes, duke u ankuar për mënyrën se si i fliste në fushë, dhe më pas Sane dyshohet se i tha Manes: “Zezak”, duke e fyer në mënyrë racore.
Kujtojmë se Sadio Mane erdhi këtë sezon nga Liverpooli për 41 milionë euro. Në karrierën e tij ai ka luajtur edhe për Metz B, Metz, Red Bull Salzburg dhe Southampton. Ai ka shënuar 35 gola në 95 paraqitje për kombëtaren e Senegalit dhe konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë afrikanë në histori, transmeton Fol Drejt.