Sadio Mane (31-vjeçar) nënshkroi për Bayernin verën e kaluar, kur ata e sollën nga Liverpooli, por senegalezit nuk i shkoi shumë mirë në Bayern, për këtë arsye u fol për mundësinë e largimit të tij nga Mynihu. Thuhet se sulmuesi me përvojë ka zhvilluar një takim me Hasan Salihamidzicin dhe drejtuesit e klubit dhe u ka thënë se dëshiron të qëndrojë.
Gazetari i njohur Fabrizio Romano zbuloi se ka pasur bisedime mes Sadio Mane dhe drejtuesve të Bayernit, ku ata e kanë të qartë pozicionin e tij që dëshiron të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm.
“Kohët e fundit janë zhvilluar diskutime mes Bayern Munich, Sadio Mane dhe agjentëve të tij për të sqaruar gjërat pas një sezoni të parë të vështirë. Mane dëshiron të qëndrojë. Ai shpreson të fitojë trofe dhe të ndryshojë kurs në Bayern sezonin e ardhshëm”, ka shkruar Romano.
Sadio Mane ka kontratë me Bayernin deri në verën e vitit 2025. Në sezonin aktual, lojtari afrikan ka luajtur 37 ndeshje, gjatë të cilave ka shënuar 12 gola dhe gjashtë asistime.
Sigurisht, sezoni i Mane në Bayern u shënua nga një konflikt me Leroy Sanen, të cilin ai e goditi dhe u pezullua për pak kohë, transmeton Fol Drejt.