Të paktën 30 milionë euro janë keqpërdorur nga buxheti i shtetit, tregojnë të dhënat e hetimeve të Drejtorisë së Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muharemi, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e rasteve që ndërlidhet me korrupsionin në nivele të larta, ka të bëjë me keqpërdorimin e tenderëve për furnizimet publike.
Ai thekson se pandemia e koronavirusit në masë të caktuar ka bllokuar dhe hetimet që ka iniciuar Policia Financiare, megjithëse bën të ditur se për vitin e kaluar janë dorëzuar më shumë se 70 parashtresa penale për sa i përket korrupsionit në nivele të larta.
“Është fakt se gjatë vitit 2019 kemi pas rezultate më të mëdha për sa i përket detektimit të dëmtimit të buxhetit të shtetit, gjë që nuk kemi arritur të kemi të njëjtin rezultat edhe gjatë vitit 2020, për shkak se kishim periudhën e pandemisë, një periudhë me shumë vështirësi në lidhje me hetimet. Kolegët tanë, hetuesit, janë përballur me shumë vështirësi gjatë vërtetimit të veprave penale në terren”.
“Megjithatë, të dhënat statistikore nga parashtresat e dorëzuara do të jenë diku mbi 70 fletëparaqitje penale të dorëzuara”, thekson Muharemi.