Të martën e 19 korrikut, Shqipëria do të zhvillojë konferencën e parë ndërqeveritare. Pas votimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, përfaqësuesit e vendeve anëtare do të mblidhen për t’i hapur rrugën çeljes së negociatave për dy vendet.
Televizioni Klan ka mësuar se një delegacion prej 15 zyrtarësh, pjesë e grupit negociator me BE-në, kryesuar nga kryeministri dhe ministrja e Jashtme, do të udhëtojnë drejt Brukselit për t’u ulur përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme Josef Borrell, komisionerit për zgjerim Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka presidencën e radhës së BE-së.
Përfaqësuesit e të dy palëve do të paraqesin kornizën negociuese e cila duhet të miratohet. Për Shqipërinë kjo do të jetë dhe çelja zyrtare e negociatave.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut kjo tryezë do të jetë vetëm shprehje e vullnetit nga Bashkimi Evropian pasi për t’u ulur në tryezën teknike të negocimit më parë duhet të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese që dikton propozimi francez që mori votëbesimin e parlamentit të këtij vendi këtë të shtunë./TvKlan