Maqedonia Veriore ka ngecie në politikën e jashtme dhe kjo lidhet me mungesën e shumë përfaqësive të vendit nëpër botë – ambasadorë dhe konsuj. Në kohën kur qeveria ka kaluar emrat e përfaqësuesve të saj jashtë shtetit, tashmë duket se fërkimet mes partnerëve të koalicionit po shfaqin probleme dhe kjo mund të ndikojë në prolongimin e emërimeve të ambasadorëve.
Siç mësohet së fundi, mes kandidatëve për ambasadorë ka persona që kanë dynënshtetësi, gjë që është anti-ligjore, por ka edhe të atillë me ecuri penale.
Poashtu, edhe nëse kandidatët e propozuar nuk kanë probleme me ligjin, ka mjaft konkurrencë. Kjo ndodh me postin e ambasadorit të ardhshëm në Uashington, ku momentalisht këtë post e ushtron znj. Marigona Marku.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi si propozim i BDI-së është favorite kryesorë që të ulet në postin e ambasadorit në Uashington. Në një garë të ngushtë për këtë post janë edhe profesori Lubomir Fërckovski si propozim i presidentit Stevo Pendarovski si dhe diplomati Paskal Stojcevski si propozim i shefit të diplomacisë Nikola Dimitrov. Pra tre lobe të ndryshme brenda qeverisë luftojnë për këtë post.
Kur jemi te ambasadorët, profesori universitar Xhemail Çupi nga Alternativa është propozuar si ambasador i Maqedonisë Veriore në shtetin e Kinës. Çupi ka magjistruar dhe doktoruar në fushën e diplomacisë dhe viteve të fundit është angazhuar me hulumtime në fushën e raporteve ndërkombëtare.
Pra është ndër të rrallët persona të kaluar në qeveri, i cili ka përfunduar doktoraturën në fushën që do e ushtrojë, ku kolegët e tij në masë ose kanë ecuri penale ose mund të ketë përfunduar shkollën për gjuhë shqipe ose mjekësi.
Nga Kabineti Presidencial bëjnë me dije se presidenti merr propozimet nga qeveria, dhe më pas i nënshkruan të nominuarit nëse nuk ka thyerje të ligjit. Nëse Presidenti do shikojë ligjin, atëherë duhet të mos nënshkruajë rreth pesë të nominuar qeveritarë, që kanë pasaporta të huaje dhe disa që kanë ecuri penale. Në të dyja rastet, qeveria e Maqedonisë Veriore del e humbur në kohë – e para, nominon persona antikushtetues dhe në rastin e dytë, mbetet pa përfaqësim diplomatik në shtetet decizive.
Presidenti për televizone lokale maqedonase ka potencuar se do nënshkruajë vetëm ata persona që janë konform ligjit./Foldrejt.com