Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Itali, Vat Marashi deklaron se bizneseve italiane dhe atyre shqiptare që veprojnë në këtë vend po u rikthehet besimi që të investojnë në Kosovë.
Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se nga takimet që ka pasur me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe me ata të Italisë, është krijuar një përshtypje pozitive që të investohet në Kosovë.
Marashi që me një numër të bizneseve nga Italia ditë më parë ka marrë pjesë në Forumin e Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit mbajtur në Prizren, thotë se biznese të ndryshme kanë shprehur dëshirën për të investuar në Kosovë.
Ai flet edhe për sfidat që i shohin bizneset për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë.
Deklaron se të rinjtë e Kosovës po tregohen shumë inovativ, për çka thotë se e ardhmja e tyre mund të jetë shumë e suksesshme.
Marashi flet edhe për mundësinë që bizneset e Kosovës të eksportojnë produktet e tyre në Itali, për çka tha se prodhimet e Kosovës janë shumë cilësore.