Përfaqësuesi i kombëtares franceze, Marcus Thuram, ka vlerësuar se për progresin e tij i duhet urgjentisht një transferim në një klub më të madh se Borussia nga Monchengladbach.
Fundjavën e kaluar, Borussia Monchengladbach mposhti Bayernin nga Mynihu me rezultat 3:2 dhe përjetoi një nga ditët më të bukura të këtij sezoni, ndërsa gëzimin e zbehu shpejt një nga futbollistët e parë të skuadrës, Marcus Thuram, i cili njoftoi drejtuesit e klubit se ai nuk do të rinovojë kontratën e tij e cila skadon në fund të këtij sezoni.
Do të jetë një humbje e madhe për Monchengladbach, pasi do të humbasë një lojtar, vlera e të cilit në treg vlerësohet 32 milionë euro, si dhe do të humbasë njëherësh golashënuesin e tyre më të mirë, pasi Thuram shënoi 14 gola në 22 paraqitje këtë sezon.
“Ne vendosëm të mos e mbajmë më atë. Fakti që ai do të largohet si lojtar i lirë nuk është mirë. Është e vështirë për mua të pajtohem me këtë. Thjesht duhet të pajtohemi me faktin se Marcus ndoshta do të shkojë në një klub më të madh”, tha drejtori i klubit sportiv Roland Virkus, i cili pranoi se Thuram shprehu dëshirën e tij për të vazhduar karrierën e tij në një klub më të madh.
Thuram ishte lojtar i kombëtares franceze në Kupën e Botës në Katar, ku bëri gjithsej pesë paraqitje, transmeton Fol Drejt.