Mark Pashku është shkrimtar shqiptar i lindur në Tuz të Malit të Zi, ku edhe jeton aktualisht. Rrugën e tij prej shkrimtari e nisi me veprën poetike “Zhurma e mendimeve”, kurse më vonë kaloi në prozë duke botuar romanet “Fshati i heshtjes”, “Ligji i Maskave”, dhe romani “Humbja”, me të cilin e fitoi Çmimin Rexhai Surroi për romanin më të mirë të vitit 2021.
Intervistoi: Ardit MEHMETAJ
Jeni fitues i Çmimit Rexhai Surroi për romanin më të mirë të vitit 2021. Çmimi përveçse është vlerësim, ka edhe ndikim në jetën dhe karrierën e autorit. Si e përjetuat këtë fakt dhe sa ndikoi tek ju si shkrimtar?
Çmimi “Rexhai Suroi” nuk është çmim që jepet lehtë. Me admirim i kam ndjekur ngjarjet letrare në Kosovë dhe në Shqipëri, duke qenë tifoz i letërsisë shqipe, por edhe i autorëve të cilët e di shumë mirë se kanë nevojë për përkrahje. Të them të drejtën, nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mend që unë do ta fitoja këtë çmim sepse ajo që më ka dëshpëruar më së shumti gjatë tridhjetë e pesë viteve sa kam, është se në Ballkanin tonë, nuk vlerësohet ajo që ka vlerë por ajo që e diktojnë rrethanat e tjera. Mirëpo, teksa po bëhesha gati që ta botoja librin “Humbja”, madje në Shqipëri, disa miq më thanë që të provoja fatin dhe të konkurroja për këtë çmim. Ajo që ngjau më pas, ku unë u shpalla edhe fitues për romanin më të mirë shqip për vitin 2021, është normale se më ka dhënë një kënaqësi por edhe përgjegjësi më të madhe si shkrimtar. Dua të them, puna ime është vlerësuar nga një juri profesionale e kjo nuk është diçka që nuk të gëzon. Nëse kështu e vlerëson edhe lexuesi unë do të kem kënaqësi akoma më të madhe sepse në fakt, lexuesi jep çmimin më të mirë për një autor.
Ju jetoni në Tuz të Malit të Zi. Sa lexojnë shqiptarët e Malit të Zi dhe çfarë autorësh lexojnë kryesisht?
Në Tuz ka lexues, nuk është se nuk ka, por në përgjithësi shqiptarët janë duke e neglizhuar kulturën dhe artin. Të menduarit kapitalist, pa bërthamë intelektuale do të na kushtojë shtrenjtë të gjithë shqiptarëve në përgjithësi, ndërsa neve të Malit të Zi, në veçanti. Rreziku më i madh është humbja e gjuhës. Një numër i madh i shqiptarëve në Mal të Zi, nuk arrijnë të lexojnë letërsinë në gjuhën shqipe sepse asimilimi është duke ndikuar dukshëm. Ata lexues që i kemi, janë vërtetë lexues të mirë. Janë mjaft të lidhur me autorët shqiptarë, duke mos i anashkaluar edhe të huajt që na vijnë si përkthime, por që mendoj se brezat e rinj nuk po gjejnë një sistem jetësor që t’i udhëzojë drejt dijes e drejt librit. Në përgjithësi, lexuesi shqiptar në Mal të Zi është në rënie sepse në rënie është edhe numri i shqiptarëve.
Zona prej nga vini ju ka qenë gjithmonë një vend prej nga kanë dalur dhe ardhur shumë figura të çmuara kulturore letrare, si Rexhep Qosja, Mehmet Kraja e të tjerë. Si e kujtoni ju vendlindjen dhe sa ka kontribuar ajo në formimin e personalitetit tuaj (për mundësitē që ju ka ofruar)?
Sapo më dhatë dy emra të mëdhenj të letërsisë shqipe, që vijnë pikërisht prej dy zonave të ndryshme shqiptare, dikur të populluara me shqiptarë, ndërsa në ditët e sotme, pothuajse të boshatisura. Vendlindja e Rexhep Qosjes, Vuthajt, janë në vijën e shpopullimit e të asimilimit. Gjithashtu, edhe vendlindja e Mehmet Krajës, Kraja, tashmë është në valën e largimeve. Unë besoj se sikur të kishin pas kushte, këta edhe shumë figura të tjera shqiptare nga Mali i Zi, do të kishin qëndruar për të dhënë kontribut në vendlindjen e tyre, por nëse ata nuk e kanë parë të ardhmen e fëmijëve të tyre në këto anë, atëherë besoj se është më se evidente se gjendja nuk ka qenë dhe nuk është e mirë. Kohëve të fundit ka përmirësime. Tuzi ka fituar vetëqeverisjen lokale dhe është punuar mjaft. Por jemi shumë pas, sepse kemi ngelë shumë pas. Uroj që mos të jetë vonë për rininë tonë. Nëse largohen profesionistët, e kryesisht mendoj tek profesorët, mësuesit, njerëzit e shkolluar, intelektualët e vërtetë, atëherë gjendja nuk është aspak e mirë. Kemi nevojë që këta njerëz t’i ruajmë. Kemi humbur mjaft gjatë Jugosllavisë e gjatë shkatërrimit të saj. Nëse duam të mbesim këtu ku jemi, duhet të punojmë fort që të kemi arsim të fortë, fillor e të mesëm, për të përgatitur një të ardhme të sigurt për shqiptarët në Mal të Zi. Vendlindja ime ka një histori e të shkuar për t’u admiruar. Ka mjaft figura që ia kanë zbardhë faqen. Me shekuj kemi qëndruar përballë çdo sfide. Ka një natyrë të mrekullueshme, me bjeshkë, male, pyje, kodra, fusha, lumenj e liqene. Kjo më ka frymëzuar jashtë mase. Por mendoj se ne, nuk po ia kthejmë vendlindjes atë që ajo na e ka dhënë.
Po bashkëpunim ndërkulturor sa ka në mes shteteve ku jetojnë shqiptarët?
Mund të them se shumë pak e shumë i vogël është bashkëpunimi në mes shteteve shqiptare. Duhet ditur se kemi një alfabet, një gjuhë, një kulturë e një komb. Nuk ka rëndësi se në sa shtete jemi të ndarë, nëse lejohet që intelektualët të punojnë e veprojnë bashkë. Kultura, arti, letërsia duhet të gëzojnë përkrahje të plotë nga politika. Nuk mund t’u vihen kufinjë këtyre damarëve të kombit. Nëse dy shtetet shqiptare, bashkë me Maqedoninë e Veriut bashkëpunojnë, besoj se edhe shqiptarët në Mal të Zi, Serbi e gjetiu do të kishin përkrahje më të madhe e do ta kishin më të lehtë integrimin me pjesën tjetër të kombit.
Cili është raporti i shkrimtarit shqiptar me traditën dhe sa merrni ju nga tradita?
Tradita dhe realiteti shqiptarë janë dy damarë që personalisht më frymëzojnë shumë. Por mendoj se tradita është traditë, dhe duhet të ruhet ajo që është e jona e që është brenda indit të pastër të shqiptarit si pjesë e familjes evropiane. Për fat të keq tradicionalja e ka humbur kuptimin e vet sepse interesat e ndryshme që vijnë nga manipulimet e atyre që duan të na e ndryshojnë traditën janë shumë në ekspansion. Kjo vjen si shkak i atyre fenomeneve që thashë më lart, sidomos te pjesa ku intelektualët shqiptarë neglizhohen e shtypën deri në atë masë sa që detyrohen të braktisin vendin. Në vend të tyre, rregullat e lojës i caktojnë ata që kulturën dhe traditën e shikojnë me syrin e interesit. Ndërsa aktualiteti, është shumë i dhimbshëm. Rinia jonë, për mendimin tim, është në udhëkryqin pas vitit 1990 sepse antivlerat u servohen si vlera e kështu, rrugët i kemi plot të rinj.
Cili është statusi i letërsisë dhe i shkrimtarit sot në shoqërinë shqiptare?
Të jesh shkrimtar do të thotë të merresh me fjalën. Fjalët rrëfejnë edhe anën e bukur por edhe anën e errët të shoqërisë. Shkrimtarët janë një pjesë e trurit të një vendi, janë ndërgjegjia e vendit. Për fat të keq, nuk është i lakmueshëm shumë statusi i shkrimtarit sepse ata e duan vendin përmes idealit, përmes intelektualizmit, kulturës e qytetarisë.
Nga leximet që bëni dhe nga shkrimi i letërsisë, si e shihni sa po prodhohen vlera letrare sot nga gjithë ky produksion letrar i letërsisë aktuale?
Letërsia shqipe ka një nivel mjaft të lartë në raport me letërsitë e tjera. Mendoj se kemi shkrimtarë mjaft të mirë që edhe në mungesë të përkrahjes së institucioneve, po ia dalin që të depërtojnë tek lexuesi i huaj. Shkrimtarët besoj fuqishëm, se janë përfaqësuesit më real të kulturës sonë kombëtare, por edhe të aktualitetit të shoqërisë sonë.
Ju keni krijuar si prozë, ashtu edhe poezi, cilën nga këto dy forma letrare e ndjeni më shumë dhe mendoni se është më efikase për ju?
Në fëmijëri kam shkruar, por edhe në ditët e sotme shkruaj poezi. Kam botuar një përmbledhje me poezi, por që mendoj se nuk ishin për botim. Isha i ri dhe kisha njëfarë dëshire për të hyrë në botën e shkrimtarëve. Këtë libër e pata titulluar “Zhurma e mendimeve”, që në fakt ishte zhurma që më bënin idetë e inspirimit për të shkruar e për të trajtuar fenomene të ndryshme. Pas kësaj përmbledhje, u binda se nuk është poezia ajo që do të mund ta lëvroja dhe te proza gjeta njëfarë sigurie më të madhe. Kam shumë dëshirë që edhe te proza të përfshi nga pak poezi, kur më duket e realizuar, sepse poezia është shpirti i artit. Unë e lexoj çdo ditë poezinë, ashtu si prozën. Letërsia më jep të kuptoj thjeshtësinë e kësaj jete që jetojmë duke me armatosur me forcën për të jetuar atë që duam, por jo me çdo kusht e në çdo mënyrë. Jeta është e shkurtë për ta shpenzuar në një botë boshe pa art.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? Jeni duke shkruar ndonjë gjë?
Përherë lexoj e përherë shkruaj nga pak. Jam duke punuar në një roman të ri të bazuar në aktualitetin e tanishëm dhe në pasojat e veprimeve të brezit të tashëm, për brezat që po vijnë. Jam plot frymëzim dhe po punoj për qef. Mbi të gjitha, ajo që lexoj më jep shumë kënaqësi dhe e kam të vështirë të ndaj kohën për të shkruar, por do t’ia dal.
Edhe pse ndoshta jo në numër të madh, përsëri ekziston një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që janë lexues të paepur. Mund t’i sugjerosh tri libra për këta lexues?
“Fillimi i një fundi” i Majlinda Bregasit, është një roman që ka një temë historike, por edhe një rrëfim të fortë që të bën për vete, me një fabulë që duhet ta njohim të gjithë. “Flama” nga Tom Kuka dhe “Liria ime” e Mehmet Krajës./FolDrejt/