Lojtarët e Manchester City-t pësuan një disfatë të dhimbshme nga Tottenham-i.
Skuadra e Pep Guardiolës nuk arriti të përfitojë nga humbja e Arsenalit, i cili është kryesues i ligës.
Në qendër të vëmendjes ishte sulmuesi norvegjez – Erling Haaland.
Edhe pse norvegjezi, i cili shënoi 31 gola në fanellën e Cityt, po kalon një sezon ëndrrash, ai së shpejti mund të jetë në kërkim të një klubi të ri. Gjegjësisht, sipas mediave angleze, marrëdhënia mes Haalandit dhe trajnerit Pep Guardiola ka arritur në krizë dhe disa lojtarë nuk janë të kënaqur me punën e trajnerit spanjoll.
E gjithë historia për atmosferën e keqe në dhomën e zhveshjes së Cityt mbështetet nga largimi i fundit i mbrojtësit portugez – Joao Cancelo – i cili u largua nga City pikërisht për shkak të një debati me Guardiolën.
Ish-lojtari i Liverpool-it, Jamie Carragher, i ka hedhur benzinë zjarrit, duke komentuar në analizën pas ndeshjes mes City-t dhe Tottenham-it se një klub si Manchester City mund të ishte zgjidhja e gabuar për norvegjezin.
“Mendoj se këtë sezon, me gjithë golat që ai shënoi, ne pamë vetëm 60% të mundësive të tij. Haaland preferon një stil futbolli ku ai ka hapësirë për të kërkuar topa të thellë dhe për të vrapuar pas mbrojtësve, por City nuk luan atë lloj futbolli. Ndoshta ai zgjodhi klubin e gabuar. City me të duket si një skuadër më e keqe se më parë, por nuk është faji i Haalandit, ata nuk kanë lojtarë që do të luanin në stilin e tij” – tha ish futbollisti anglez, transmeton Fol Drejt.