Ambasada Gjermane uron KOSTT dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për rezultatin pozitiv të procesit të votimit brenda Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E) në lidhje me Marrëveshjen e re të Lidhjes që do të nënshkruhet me KOSTT.
Kështu thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Kosovë. Ndërsa tutje shkruhet se kjo marrëveshje më në fund mundëson krijimin e një zone të pavarur të kontrollit për Kosovën.
“Ky është një moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin në rajon. Ky është rezultati i një rruge të gjatë dhe të kërkuar në të cilën Gjermania qëndronte përgjithmonë në krah të qeverive dhe institucioneve kosovare. Ne bashkërisht besojmë në përfitimin e bashkëpunimit tonë për stabilitetin rajonal dhe jemi të kënaqur që Marrëveshja e Lidhjes me ENTSO-E është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në rajon.
Qytetarët kosovarë të të gjitha komuniteteve do të përfitojnë në fund. Përtej stabilizimit të mëtutjeshëm të rrjetit energjetik evropian, një rezultat shumë i rëndësishëm i vendimit të fundit do të jetë funksionalizimi i linjës së energjisë 400kV mes Kosovës dhe Shqipërisë që është financuar nga bashkëpunimi financiar gjerman me më shumë se 75 milion Euro – është një sukses i madh që ky projekt tani mund të nxjerrë potencialin e tij të plotë për sektorin e energjisë në rajon.
Qeveria gjermane dhe organizata e saj zbatuese KfW kanë investuar afër 100 milion Euro në shtrirjen dhe modernizimin e rrjetit kosovar të transmetimit të energjisë. Ne jemi të lumtur që kemi partnerë të tillë të aftë dhe të përkushtuar në KOSTT”.