Rreth 300 të burgosur, të cilët aktualisht gjenden në burgjet e Mbretërisë së Danimarkës, pritet të transferohen në burgjet e Kosovës.Kjo pas marrëveshjes së arritur mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Institucioneve të Danimarkës.
Nga marrëveshja e arritur, Kosova pritet të përftojë 210 milionë euro, ndërkaq të burgosurit që do të transferohen thuhet se nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.
Ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili ka qenë pjesë e bisedimeve me institucionet e Danimarkës, ka thënë për Telegrafin se arritja e kësaj marrëveshje është një hap i madh, përcjell FolDrejt.com.
“Është një hap i madh i marrëdhënieve Kosovë-Danimarkë. Kjo marrëveshje tregon se Danimarka e konsideron lartë profesionalizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. E përkrahi marrëveshjen dhe punën e Ministrisë në këtë fushë”, ka deklaruar ai.
Selimi ka theksuar se është i lumtur që kjo punë po merr epilog.
“Kemi punuar bashkë me SHKK-në dhe stafin e Ministrisë dhe jam i lumtur që kjo punë po merr epilog. Kosova dëshmon se në fushën e drejtësisë dhe shërbimit korrektues është liderë në rajon andaj e ftoj ministrinë që ta mbajë këtë standard”, pohoi ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë me të burgosurit pasi të përfundojnë dënimin, Selimi tha se për këto pyetje duhet të përgjigjet Ministria e Drejtësisë.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë sot përmes një komunikate për media ka dhënë detaje lidhur me marrëveshjen për të burgosurit, teksa thuhet se të burgosurit do të vendosen në Qendrën Korrektuese në Gjilan.
“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishm”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.
“Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup kishte deklaruar se kapaciteti i burgjeve në Danimarkë duhet të rritet në mënyrë që t’u bëhet vendi rreth 1 mijë të burgosurve, sipas tij në këtë aspekt Kosova do të ndihmojë duke i dhënë me qira 300 qeli burgu. Ministri danez ndër të tjera kishte deklaruar se të burgosurit vijnë nga shtetet e botës së tretë.