Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) njoftoi se komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore të Përbashkëta për Diasporën ka shpallë thirrje për aplikim në konkursin e teksteve mësimore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli II, dhe “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli III.
“Tekstet do të hartohen në përputhje me Kurrikulën e përbashkët të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, Tiranë – Prishtinë, miratuar në prill 2018.
Po ashtu, në përputhje me Paketën e dokumenteve të miratuara me Urdhrin/Vendimin e përbashkët, nr. 21, datë 13.01.2023, “Për miratimin e paketës së dokumenteve për procedurën e zhvillimit të konkursit të teksteve mësimore për diasporën, niveli II dhe niveli III””, thuhet në njoftimin e MASHTI-it, përcjell Fol Drejt.
“Ftojmë të aplikojnë të gjitha shtëpitë botuese që i përmbushin kriteret e përcaktuara në paketën e dokumenteve të miratuara me Urdhrin/Vendimin nr. 21, datës 13.01.2023.
Miratimi i listës së dorëshkrimeve të teksteve të renditura sipas vlerësimeve do të bëhet në muajin nëntor 2023.
Ndërkaq, miratimi dhe shpallja e tekstit mësimor fitues do të bëhet në muajin dhjetor 2023”, thuhet tutje në njoftim./FolDrejt/