Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka bërë të ditur se sot ka filluar në të gjitha komunat mësimi plotësues.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka kontaktuar sot të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe sipas raportimeve, procesi i fillimit të përgatitjeve në shkolla për Testin e Arritshmërisë ka shkuar sipas kalendarit të përshtatur nga kjo ministri për përfundimin e vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19.
MASHTI përmes një komunikate ka njoftuar se sipas raportimeve të DKA-ve, mësimi plotësues për nxënësit e klasave të nënta, i paraparë të fillojë sot me Kalendarin e përshtatur, ka filluar në të gjitha komunat, përveç në Komunën e Malishevës dhe atë Junikut për arsye se nuk kanë pasur mundësi t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme në të gjitha shkollat dhe në këto komuna mësimi pritet të fillojë gjatë javës.
“Paraprakisht, sipas deklarimeve të përgjegjësve të arsimit nëpër komuna, është bërë edhe dezinfektimi i objekteve shkollore dhe janë siguruar dezinfektues dhe maska në shkolla dhe po zbatohen rekomandimet e IKSHP-së. Mësimi plotësues për përgatitje për Testin e Arritshmërisë do të zgjasë deri më 19 qershor, ndërsa Testi do të mbahet më 23 qershor 2020”, thuhet në njofitm.