Gazetari dhe shkrimtari Halil Matoshi është treguar i ashpër ndaj krerëve të shtetit, duke i cilësuar si politikanë me prirje totalitare – komuniste. Por këtij komenti ka reaguar gazetari Labinot Balaj, duke e thumbuar publikisht Matoshin, shkruan Fol Drejt.
Më saktë Matoshi në emisionin “Politiko” tha se mostakimi i krerëve të shtetit – Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti me Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Antony Blinken, tregon se vendi është futur në një rrugë të rrezikshme.
“Unë kam menduar që Osmani do të jetë pragu i fundit i rezistencës antikomuniste, po s’po del që është. Do të thotë dhe këta kanë hy në rrugën një kahshe të izolimit si Enver Hoxha në vitet e dyzeta. Krahasimi politikë me politik është valid në teori. A është e majtë LVV-ja, me krahasu të majtën me një të majtë nuk është asgjë. Në esencë prej Leninit e knej s’dallojnë asgjë. As Kimi, Stalini, Lenini, as Enveri as Tito as Albini s’dallojnë kurgjo, sepse dojnë kontroll të plotë mbi çdo gjë, madje edhe kontroll të plotë mbi mendime” – ka thënë Matoshi.
Por këtij komenti i është kundërpërgjigjur gazetari Balaj i cili ia ka kujtuar Matoshit se këtë pikëpamje për Kryeministrin Kurti e kishin edhe disa ish komunistë kosovarë:
“Deklarata te tilla subversive kane dhanë edhe ‘disidentë’ të regjimeve diktatoriale të apostrofuara nga Matoshi.”
Duket sikur Balaj i është referuar një deklarate të Isa Mustafës, ish kryeministër dhe ish kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por njëherësh edhe ish anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave. Balaj nuk ka përmendur emra por dihet botërisht që Mustafa ishte i tillë, dhe ky, në një moment e pat përshkruar Qeverinë Kurti me “mendësi komuniste”.
Por përndryshe për shumë njohës të zhvillimeve politike kriza e qeverisë me partnerët strategjikë, duke i përfshirë këtu edhe ShBA-të, ka të bëjë me procesin e bisedimeve, përkatësisht me çështjen e Asociacionit./FolDrejt/