Zgjedhjet për kryetarët e rinj të bashkive mbahen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Në Shqipëri ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore në vend, ku në disa bashki do të votohet për të zgjedhur kryeartët e rinj, shkruan AA.
Qendrat e votimit në 6 bashkitë e vendit, në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, janë hapur pas orës 07:00 dhe zyrtarisht do mbyllen në orën 19:00.
Në disa qendra votimi procesi ka filluar me vonesë për shkak të motit të keq, si dhe problemeve me paraqitjen e komisionerëve, transmeton Fol Drejt.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë(KQZ) në zgjedhjet e pjesshme vendore janë regjistruar për të marrë pjese si subjekte zgjedhore 11 parti politike.
Pjesë e partive politike që konkurrojnë janë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, parti të tjera opozitare, si dhe një koalicion me dy parti.
Në këto zgjedhje sipas KQZ-së kanë të drejtë vote 648.536 qytetarë, ndërsa në të gjashtë bashkitë që mbahen zgjedhje janë gjithsej 942 qendra votimi.
Zgjedhjet e pjesshme mbahen për shkak të dorëheqjeve, shkarkimeve dhe ndërprerjes së parakohshme të mandatit të kryetarëve të zgjedhur nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019./FolDrejt/