Ka nisur edicioni i 13-të i Javës së Albanologjisë. Gjatë kësaj jave shumë studiues të gjuhës, letërsisë e zakoneve shqipe patën mundësinë t’i prezantojnë punimet e tyre para publikut.
Fjalën hapëse e mori drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ku tha se ky institut ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e shkencave albanologjike, për dekada me radhë.
“Kjo konferencë mbahet në vigjilje të tre përvjetorëve të rëndësishëm të shkencave albanologjike, 60 vjetorin e botimit të numrit të parë të revistës, ‘Gjurmime albanologjike’; 50 vjetorit të standardizimit të gjuhës shqipe, dhe 40 vjetorit të revistës ‘Gjuha shqipe’”, tha drejtori Matoshi.
Nga Këshilli Organizues i Javës së Albanologjisë ishin Prof. dr. Hysen Matoshi, Prof. dr. Lulëzim Lajçi, Prof. dr. Fadil Grajçevci, Prof. dr. Arbnora Dushi, Prof. dr. Memli Krasniqi, Prof. asoc. dr. Lumnije Kadriu, Prof. dr. Naim Berisha.
Ndërsa me datën 8 qershor nga ora 10:00 filloi sesioni i tretë në sallën e katit të dytë. Drejtues të këtij sesioni ishin Naser Ferri, Memli Krasniqi dhe Sadik Mehmeti.
Kurse fjalën e morën Naser Ferri me temën Traseja e rrugës antike nga municipiumi DD deri në vendbanimin antik në Pejë në bazë të gjetjeve arkeologjike, pastaj Lulëzim Lajçi dhe Muhamet Qerimi me temën Rrugët shqiptare në mesjetë, Sadik Mehmeti me temën Shënime në dorëshkrimet orientale në Kosovë si formë informimi dhe ndërkomunikimi, Memli Krasniqi me temën Memoria mbi Shqipërinë e Toma Raspasanit: Shqiptarët ndërmjet lindjes dhe perëndimit, Durim Abdullahu me temën Itinerarët e udhëtarëve evropianë në Shqipërinë e vonë osmane, Zana Hoxha me temën Roli i udhëpërshkruesve në zbulimin e monumenteve paleo-kristiane, Nail Draga me temën Komunikimi i penguar mes shqiptarëve: Zona kufitare Mali i Zi – Shqipëri (shek. XX).
Nga 12:30 seancën e drejtoi Lulëzim Lajçi , Nuridin Ahmeti dhe Zana Hoxha.
Aty folën Nuridin Ahmeti me temën Aspektet të letër këmbimit të Institutit Albanologjik me albanologë të shquar, Arbër Hadri me temën Dimensioni historik i Rrugës së Kombit, Arianit Buqinca, Ylber Hysa dhe Ridvan Emini me temën Nyjet komunikuese dhe gjurmët e rrugëve antike në Grykën e Kaçanikut, Genc Prelvukaj me temën Shqiptarët dhe rruga Kotor-Bërskovo, Zekrija Shabani me temën Modernizmi i komunikimit në shtetin osman: Linjat telegrafike në Prizren dhe Prishtinë dhe Elza Shipoli me temën Rëndësia e rrugëve romake gjatë antikitetit të vonë në Kosovë./FolDrejt/